Për të katërtën ditë me radhë, në veri të Kosovës, disa rrugë vazhdojnë që të jenë të bllokuara. Kamionë të rëndë dhe mjete të tjera vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudarë, në Zveçan. Që nga 10 dhjetori, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës. Po ashtu shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Mbrëmë në Beograd, dhjetëra serbë janë grumbulluar pranë kishës Shën Sava duke brohoritur thirrje nacionaliste dhe gjenicidale kundër Kosovës. Ky grumbullim është bërë si shenjë përkrahje ndaj grupeve kriminale të cilët kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës.
Me flamuj në duar serbët kanë kënduar këngë nacionaliste të kohës së kriminelit Sllobodan Millosheviq, duke thërritur thërrasin ”Jo ndarje” dhe ”Kosova është zemra e Serbisë”.
Si u përshkallëzua konflikti në veri të Kosovës
Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhejtor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Sulmet ndodhën teksa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviç, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor. Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm. Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.