Një grup banorësh te Unaza e Re që preken nga projekti dhe që i kanë shtëpitë pa leje kanë vijuar protestën në ditën e 41-të duke kundërshtuar shembjet,
pasi kërkojnë dëmshpërblim të plotë nga qeveria. Ashtu si cdo ditë, edhe pasditen e sotme protesta e banorëve dhe bllokimi i rrugës për disa miunta është mbështetur nga deputetët e opozitës.
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu i ftoi qytetarët që të bashkohen me studentët për të rrëzuar qeverinë.
“Kjo është zonë krimi, pasi është vërtetuar se është bërë një vjedhje. Çdo hap i mëtejshëm, përderisa nuk është nxjerr përgjegjësi, do të shërbejë për prishjen e provave. Mjetet po vijojnë të punojnë natën si hajdutë. Cdo qytetar t’u bashkohet studentëve për të rrëzuar qeverinë”.
Ndërkohë që deputeti i LSI, Brahimllari u shpreh se në burg duhet të jenë ministri Gjiknuri dhe drejtori i ARRSH-së, Qendro dhe jo protestuesit që kërkojnë mbrojtjen e shtëpive të tyre.
“I kërkojë prokurorisë që të bllokojë punimet, pasi ka filluar hetimet me qëllim që banorët të qetësohen dhe e drejta të shkojë në vend. Sot mbahen në burg tre djem që protestuan për pronën e tyre dhe nuk shkon në burg Afrim Qendro dhe Gjiknuri” tha ai.
E ndërsa një grup banorësh vijojnë protestën, grupi tjetër që i kanë shtëpitë me leje kanë pranuar dëmshpërblimin, por edhe persona të tjerë që nuk i kishin të legalizuara pranuan strehimin te banesat sociale dhe bonusin e qirasë.