Ditën e sotme banorët e “Unazës së Re” kanë zhvilluar ditën e 53-të të protestës.
Duke kundërshtuar prishjen e banesave të tyre sikurse e parashikon plani për ndërtimin e aksit nga sheshi “Shqiponja”, banorët janë vendosur në të dyja akset e rrugës pranë mbikalimit në këtë zonë duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.
Ata kanë bllokuar rrugën për të gjitha mjetet duke i kërkuar që të bashkon me protestën e tyre.
Në fjalën e tij gjatë protestës, deputeti i PD-së Klevis Balliu i kërkoi prokurores së përgjithshme të përkohëshme, Arta Markut që të hetonte lidhur me skandalin e falsifikimit të dokumentave të firmës fituese të tenderit të projektit “DH Albania”.
“Qëndresa juaj është heroike. Rama është autori i vjedhjes. Çdo qytetar duhet t’i bashkohesh Unazës së Re për t’i dhënë stop vjedhjes. Tepsia e tij nuk ekziston më, tani qytetarët vendosin. Pse nuk kemi të arrestuar lidhur me aferën?
Arta Marku të largohet nëse nuk ka guxim të hetojë, në të kundër do ta largojnë qytetarët. Falenderoj banorët për qëndresën e tyre. Po qëndruan do të fitojmë dhe ata do të dështojnë,”- tha Balliu.
Në protestën e tyre banorët e zonës “Astirit” nuk kërkojnë vetëm dëmshpërblim në vlerë 100% të banesave dhe bizneseve të prekura nga projekti i “Unazës së Madhe”, por anulimin e plotë të projektit.
Ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rihapur procedurat e garës për LOTIN 1 të Unazës së Madhe të Tiranës, për “Rehabilitimin e segmentit rrugor ‘Mbikalimi Pallati me Shigjeta te Rrethrrotullimi Shqiponja’, pas zgjidhjes së kontratës me bashkimin e operatorëve DH Albania & Biba X’. ‘DH Albania’ u përjashtua, duke iu zgjidhur kontrata, pasi rezultoi se kishte mashtruar me dokumentacionin.