Dita e dytë e luftës në Ukrainë. Numri i viktimave ka shkuar në 137 ushtarë ukrainas, dhe 316 të plagosur. Ndërkohë Zelensky thotë se kanë vrarë 800 ushtarë rusë. Dy shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Kiev. Mësohet se Kievi po goditet me raketa lundrimi ose balistike, thotë këshilltari i qeverisë ukrainase.
“Sulmet në Kiev me raketa lundrimi ose balistike vazhduan,” u tha gazetarëve përmes mesazheve Anton Gerashchenko, këshilltar i kreut të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës.
Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës thotë se një avion rus është rrëzuar mbi lagjen Darnytskyi të Kievit. Anton Gerashchenko thotë se avioni u rrëzua pranë një shtëpie në rrugën Koshytsia. Pretendimi i pakonfirmuar vjen pas raporteve për disa shpërthime më herët në kryeqytetin ukrainas.
Një bazë ushtarake në Brovary, një qytet afër Kievit, u godit nga raketat ruse, duke lënë gjashtë persona të vdekur. Në një postim në Twitter herët të premten në mëngjes, Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba dënoi “sulmet e tmerrshme me raketa ruse në Kiev”.
“Hera e fundit që kryeqyteti ynë përjetoi diçka të tillë ishte në vitin 1941 kur u sulmua nga Gjermania naziste. Ukraina e mposhti atë të keqe dhe do ta mposhtë këtë të keqe. Ndaloni Putinin. Izoloni Rusinë. Shkëputni të gjitha lidhjet.”- tha Kuleba.