Gjykata e Apelit në Shkodër 31 janarin ka ditën e fundit të punës së saj. Kjo gjykatë nuk do të funksionojë më sepse me reformën në drejtësi do t’i bashkangjitet gjykatës së apelit në Tiranë e cila do jetë e vetmja në gjithë Shqipërinë. Dhoma e avokatisë ka qenë gjithmonë kundër kësaj shkrirje. Kryetari i dhomës së avokatisë në Shkodër Anton Kosteri shprehet se beteja ligjore nga ana e tyre do të vijojë në Gjykatën Kushtetuese ndërsa tregon se për qytetarët që kanë çështje në apel kostot do të jenë shumë të larta sepse do të duhet të shkojnë vetëm në Tiranë.
Vetëm nga Gjykata e Apelit në Shkodër janë 2100 dosje në pritje për gjykim thotë Kosteri duke e bërë të pamundur gjykimin në kohë nga 24 gjyqtarët e Apelit të Tiranës, një numër shumë i vogël krahasuar me numrin e madh të dosjeve që transferohen nga e gjithë Shqipëria.
Nga ana tjetër nuk dihet as fati i godinës së re bashkëkohore të Gjykatës së Apelit në Shkodër.
Në Shkodër bashkë me gjykatën e apelit, shkrihet edhe gjykata administrative që po ashtu transferohet në Tiranë dhe gjykata e shkallës së parë të Pukës. E vetmja që i shpëtoi kësaj reforme është gjykata e shkallës së parë në Shkodër.