Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh për 75-vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Presidenti Begaj thekson rëndësinë e anëtarësisë për herë të dytë të Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, si dhe garanton angazhimin e institucioneve shqiptare në mbrojtjen dhe promovimi e të Drejtave të Njeriut.
“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut- Dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut mbush sot 75 vjet.
Kjo Deklaratë është ideali i përbashkët për t’u arritur nga të gjithë popujt e kombet me qëllim që çdo individ të gëzojë në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminin liritë dhe të drejtat themelore njerëzore.
Është një përkim i bukur që në 75 vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë e promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë” , shkruan Presidenti i Republikës në mesazhin e tij.