FESTIMEVE NUK U KANË MUNGUAR LULET, SIMBOLI I FESTËS, SI DHE FËMIJËT. Pas Natës së Verës, që mbajti në shesh të rinjtë deri në orët e para të mëngjesit, Elbasani është zgjuar sërish të shtunën plot gjallëri dhe i mbushur me njerëz nga të gjitha qytetet e vendit dhe jo vetëm. Bulevardi kryesor, që nga stadiumi “Elbasan Arena” deri tek kryqëzimi “1 Maji”, është tejmbushur me elbasanas dhe vizitorë si asnjëherë tjetër.
Festimet e 14 marsit, sipas traditës, nisin me karnavalet e shkollave 9-vjeçare, ku përveç parakalikimit, nxënësit japin edhe mesazhe sensibilizuese. Ndërkohë, festimeve nuk u kanë munguar lulet, simboli i festës, si dhe fëmijët, ata që më së shumti i gëzohen kësaj dite. Qytetarët, sidomos ata që kanë ardhur nga rrethe të tjera të vendit, janë shprehur të kënaqur nga festimet. Programi festiv në Elbasan do të vijojë sërish me një koncert në sheshin “Gensher”, i cili do t’i mbajë qytetarët në shesh edhe për disa orë. Siç e do tradita, dreka e Ditës së Verës do të konsumohet në familje, mes njerëzve të dashur. Por nuk janë të paktë ata që kanë prenotuar nëpër restorante për të festuar së bashku, dhe të tjerë që do ta kalojnë drekën në natyrë, në formën e një pikniku, ashtu siç festohej dikur