Në ditën ndërkombëtare të diasporës, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla priti në një takim Këshillin Kombëtar të Diasporës. Rëndësia e mësimdhënies së gjuhës shqipe për fëmijët me prindër shqiptarë kudo në botë, për të ruajtur identitetin kombëtar ishte tema kryesore e këtij takimi.
“Ne duhet t’i garantojmë mundësinë çdo fëmije, me te paktën një prind shqiptar, që të mësojë gjuhën shqipe. Duhet të përdorim mundësitë e reja të komunikimit digjital për mësimin e gjuhës shqipe online. Rrjetet sociale duhet t’i vendosim në shërbim të mësimdhënies shqip” tha ministri Balla.
Përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar të Diasporës, të kryesuar nga Mark Gjonaj, ministri u tha se gjatë këtij viti, qeveria shqiptare ka realizuar me sukses fazën e parë të programit “Mësues për Diasporën” me zbatimin e tij në Greqi, por duke synuar ta zgjerojë këtë model edhe në vende të tjera ku ka komunitete shqiptare. Në përfundim të takimit, u theksua vendosmëria për të fuqizuar bashkëpunimin me diasporën në promovimin e mësimit të shqipes, por edhe në fusha të tjera si ekonomia apo turizmi ku diaspora mund të kenë një rol të rëndësishëm.