Këtë të martë në qarkun e Shkodrës është shënuar dita më e ftohtë e vitit. Temperaturat kanë aritur deri në -21 gradë celsius në Qafë Thore, -18 në Vermosh dhe deri në -12 në aksin e Fierzës. Por pavarësisht kësaj përgjegjësi i Autoritetit Verior të Rrugëve Hajrullah Sylja thotë se të gjitha akset janë të kalueshme por nevojiten gomat dimërore në segmentet malor.
Përgjegjësi i ARRSH thotë se çdo aks ka të paktën 3 borëpastruese ndërsa në Qafë Thore janë gjashtë të tilla, kjo në bazë të shkallës së vështirësisë dhe terrenit.
Përveç kriposjes së rrugëve po vijon puna edhe për zgjerimin e akseve veçanërisht në rrugën e Fierzës në rrethin e Pukës. Atje është e domosdoshme krijimi i xhepave ansëor në mënyrë që automjetet të kenë vend ndërrimi. Gjatë 48 orëve të fundit përveç uljes drastike të temperaturave nuk ka patur reshje borë të rëna në zonat malore.
Disa fshatra për shkak të kushteve atmosferike të përkeqësuara nga temperaturat e ulëta kanë mungesë të energjisë elektrike por OSHEE është në terren me grupet e punës për riparimin e defekteve.