Në ditën ndërkombëtare anti-korrupsion, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka reaguar nëpërmjet një mesazhi, duke bërë thirrje për bashkëpunim kundër kujtdo që tenton të abuzojë.
Për Manjën ‘Peshku’ i vogël nuk duhet lejuar të bëhet i madh, metaforë e përdorur për zyrtarët e korruptuar, por duhet frenuar që kur është cironkë.
Manja thotë se në këtë luftë, vendi ynë ka në krah edhe SHBA.
Mesazhi i plotë i Manjës:
Bindja ime është e palëkundur: Ata që i lidh me njëri-tjetrin korrupsioni, nuk janë atdhetarë. Mund të bërtasin sa të duan në FB, apo në stadium, të bëjnë shqiponjën, a të grinden për nacionalizma, janë hipokritë që i bëjnë dëm vendit.
Lufta ndaj korrupsionit nuk ka përjashtime, nuk ka solidaritet miqësor, fisnor a partiak, ndryshe je bashkëpunëtor. Secili prej nesh ka betejën e tij, në këtë luftë të madhe për të frenuar këtë virus dhe vaksina e vetme është dashuria për vendin duke denoncuar çdo formë abuzimi.
Indiferenca ndaj korrupsionit është bashkëpunëtorja më e madhe e tij. Është mbulesa ku rrinë ngrohtë ata që gërryejnë rrënjët e vendit, edhe “të tuat” miku im që po lexon, sepse pavarësisht sa i ndershëm je, në pasaportën tënde që lexon “shqiptar” ke si damkë leximi “i korruptuar”, pikërisht për shkak të raporteve që vijnë edhe indiferenca shumëvjeçare.
Korrupsioni nuk është i madh, apo i vogël, nuk matet me peshë a me shifra. Është i njëjtë dhe dëmin e bën po njësoj, vetëm se do pak kohë që ai peshku i vogël të rritet e të bëhet i madh. Ndaj duhet frenuar që kur është cironkë.
Le të bëhemi bashkë, në këtë luftë; Kemi një nga mbështetjet më të fuqishme SHBA-të, kemi gazetarë të përgatitur dhe të aftë, kemi të rinj që duan me zemër të shnjollosin emrin e Shqipërisë, prandaj pak guxim qytetar për të mos lejuar askënd të abuzojë, apo më mirë të guxojë të abuzojë.
Kështu i shërbejmë vendit. Kështu i shërbejmë demokracisë. Kështu i shërbejmë të ardhmes.