Klevis Balliu, Koordinatori Rajonal për Tiranën pranë Partisë Demokratike, ka mbajtur një deklaratë për mediat me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, e cila shënohet më 9 dhjetor. Në fjalën e tij, Balliu ka rikujtuar aferat korruptive që kanë shoqëruar 12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, duke përmendur disa prej skandaleve më të mëdha, si inceneratorët dhe Portin e Durrësit. Ai theksoi se këto janë vetëm disa nga pasojat e korrupsionit të thellë që ka përfshirë administratën e tanishme.
“Partia Demokratike garanton shqiptarët se, me ardhjen në pushtet, do të ndërmarrë një luftë pa kompromis kundër korrupsionit,” deklaroi Balliu, duke shtuar se do të merret çdo masë për të ndalur abuzimet dhe për të sjellë para drejtësisë ata që kanë shkatërruar pasurinë publike për interesa personale.
Deklarata e plotë:
Sot është data 9 dhjetor, dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit, por fatkeqësisht për vendin tonë prej 12 vitesh kemi vetëm korrupsion.
Prej 12 vitesh, nga aferat e inceneratorëve, deri tek Porti i Durrësit dhe TEC-et e Vlorës, Shqipëria është mbytur vetëm nga korrupsioni. Arsyeja themelore e këtij krimi që është bërë gjatë këtyre 12 viteve, është personi që qëndron në këtë godinë, Edi Rama, si promovuesi dhe arkitekti i çdo aferë korruptive në Shqipëri.
Për fatin tonë të keq si komb, institucionet të cilat do duhet të bënin luftën kundër korrupsionit janë bërë pjesë e këtyre aktiviteteve korruptive që kanë varfëruar qytetarët.
Pikërisht, në këtë godinë, nga njeriu i cili drejton sot vendin, deklarohet që nuk ka para për pensionistët, që nuk ka para për qytetarët, nuk ka para për Shqipërinë.
Por ndërkohë, në këtë godinë bëhen aferat korruptive të tmerrshme siç janë, nga 4 milionë euro për një ballkon, e deri tek 80 mijë euro në ditë për inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe 80 mijë euro në ditë për TEC-e që nuk funksionojnë.
Të gjitha këto afera korruptive kanë një emër, dhe ai është Edi Rama.
Sot në datën 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Korrupsionit, Partia Demokratike garanton qytetarët që me ardhjen në pushtet do t’i kthehemi një beteje të pakompromis me çdo aferë korruptive dhe me çdo njeri që ka futur në xhepat e qytetarëve.