Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit i është drejtuar qytetarëve dhe medias të raportojnë pa hezitim shkeljet dhe abuzimin me detyrën nga punonjësit e policisë.
“Ju nxis që çdo rast të çdo tentative ryshfeti, ta denonconi menjëherë. Dënimet shkojnë nga 6 muaj deri në 1 vit burg, por edhe ne duhet të publikojmë gjithë rastet dhe mos të harrojmë se besimin e qytetarëve tek Policia e rritim nëse e luftojmë këtë fenomen me të gjitha forcat”,- tha Balla.
Po ashtu, Balla zhvilloi takime me disa efektivë të policisë të cilët po patrullonin në rrugët e kryeqytetit. Gjatë takimeve Balla ishte nën shoqërinë e kryekomisarit Besmir Qibini, i cili deklaroi i se deri më tani rreth 300 drejtues mjetesh janë nën akuzë “Për korrupsion aktiv” të punonjësve të Policisë Rrugore e mbetur në tentativë. Ndër të tjera, ministri theksoi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit duhet të rrisin vigjilencën dhe godasin me ashpërsi çdo përfshirje në veprime korruptive të punonjësve të Policisë së Shtetit.