Kjo është festa e një qyteti, festa e një tradite.
Vllaznia ia doli të qëndrojë në Kategorinë Superiore duke barazuar 0-0 në ndeshjen historike me Tiranën. Ky barazim hedh në Kategorinë e Parë bardheblutë për herë të parë në historinë e tyre. Ndërsa Tirana hidhërohej, Shkodra shpërtheu në festë. Kanë qenë 90 minutat mbase më të ethshme për Vllazninë dhe Tiranën në gjithë historinë e tyre.
Një stadium me rreth 12-13 mijë tifozë që kishin ardhur për të treguar se ata janë gjithmonë me skuadrën e tyre atëherë kur kanë nevojë më shumë se kurrë. Ndeshja fillon tejet energjike për Vllazninë e cila bën një lojë të bukur dhe krijon disa momente për gol por nuk konkretizojnë në portën kundërshtare. Në pjesën e parë Tirana nuk mund të përballojë publikun e ndezur dhe nuk del asnjëherë në lojën e saj.
Vllaznia luan mirë ndërsa tifozët e mbështesin gjatë gjithë kohës. Pjesa e parë mbyllet 0-0. Në pjesën e dytë rolet ndryshojnë. Hebaj vrapon shumë në majën e sulmit duke ndjerë një lodhje. Vllaznia mendon tashmë më shumë për lojën mbrojtëse. Nga ana tjetër Tirana nuk çfarë të humbasë dhe avancon drejt sulmit.
Bardheblutë tentojnë të administrojnë lojën por nuk krijojnë asnjë rast të pastër. Në fund Cise dhe Pjeshka pas një zënke ndëshkohen me karton të kuq. Ka 6 minuta shtesë. Selimaj është spektakolar me një rrëshqitje duke vonuar lojën. Nuk ka më kohë dhe ankthi merr fund për shkodran.
Tifozët shpërthejnë në lotë gëzimi thua se Vllaznia shpallej kampione. Armando Cungu, trajneri i kuqebluve çlirohet dhe heq bluzën duke festuar. Një ditë historike në Shkodër ku Vllaznia ruan dinjitetin e ndërsa Tirana i jep lamtumirën Superligës.