Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është emëruar nga Kryeminstri Edi Rama si i dërguar i posaçëm në OSBE.
Në këtë pozicion Bushati do të drejtojë Presidencën e Shqipërisë në mungesë të Edi Ramës për çështje të ndryshme. Për herë të parë në këtë oragnizatë do të ketë një post të tillë, pasi në Presidencat e tjera nuk ka qenë e nevojshme.
Kryeministri Edi Rama rikthehet sërish tek Ditmir Bushati. Me marrjen e kryesimit të OSBE, Rama ka krijuar një post të veçantë për ish-ministrin e Jashtëm, duke e vendosur atë si dërguar të posaçëm në këtë organizatë ndërkombëtare.
Pozicioni i tij është risi në drejtimin e OSBE, pasi asnjë vend tjetër që ka patur Presidencën nuk e ka parë të nevojshme këtë post.
Emri i Bushatit është postuar edhe në faqen zyrtare të organizatës, duke kryesuar ekipin i cili do të drejtojë Presidencën shqiptare në të gjitha fushat ku do të përfshihet kryesimi i Shqipërisë.
Për shkak të angazhimeve të Edi Ramës në politikën e brendshme dhe ato rajonale me minishengenin si dhe me çështjen e negociatave ishte parashikuar që përveç takimeve të rëndësishme, takimet e tjera në OSBE do të drejtoheshin nga Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
Por ndryshe nga sa pritej për shkak të pakënaqësisve me këtë të fundit, Edi Rama ja ka besuar këtë detyrë Ditmir Bushatit, i cili në pozicionin e Ministrit të Jashtëm në 8 dhjetor të 2018 në Ministerialin e Milanos mori edhe besimin e 57 vendeve për të qënë pjesë e Trojkës dhe më pas në 2020 të drejtojë OSBE-në.
Por vetëm 20 ditë më pas nga kjo datë historike për vendin tonë, Kryeministri Rama bëri ndryshime në qeveri për ta larguar Ditmir Bushatin nga kabineti qeveritar duke e zëvendësuar me Gent Cakaj, i cili më vonë i kushtoi një betejë politike me Presidentin.
Por pavarësisht rotacionit në qeveri Bushati, si deputet ka mbajtur detyrën e kryetarit të delegacionit parlamentar të OSBE-së, i cili një muaj më parë raportoi në Kongresin Amerikan gjatë seancës informuese për sfidat me të cilat pritet të përballet Kryesia Shqiptare e OSBE në 2020.
Gjithashtu ish-Ministri i Jashtëm gjatë 2019 drejtoi edhe misionin e OSBE-së për zgjedhjet në Bjellorusi.
“Ditmir Bushati- I Dërguari Special i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së” thuhet në faqen zyrtare të OSBE. Ndërkohë po ketu shpjegohet edhe pozicioni i Kryetarit kundrejt stafit.
“Kryetari i Zyrës merr një kryesim në parandalimin e konflikteve, zgjidhjen dhe rehabilitimin në rajonin e OSBE-së, duke marrë kontakte të drejtpërdrejta me palët në fjalë dhe rregullimin ose zhvillimin e negociatave për zgjidhje. Për të trajtuar krizat ose për të siguruar një bashkërendim më të mirë të përpjekjeve të shteteve pjesëmarrëse në fusha të veçanta, Kryetari mund të emërojë përfaqësues personal ose të veçantë. Përfaqësuesit personalë kanë një mandat të qartë dhe të saktë, i cili përshkruan detyrat që pritet të ndërmarrin.” thuhet nga OSBE.
Stafi i plotë:
Ambasadori Heidi Grau
Përfaqësues Special i Kryetarit të OSBE-së, Zyra në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral
Ambasadori Rudolf Michalka
Përfaqësues Special i Kryesuesit të OSBE-së për Kaukazin e Jugut
Ambasadori Thomas Mayr-Harting
Përfaqësuesi Special i Kryetarit të OSBE-së për procesin e zgjidhjes së transdniestrisë
Ambasadori Andrzej Kasprzyk
Përfaqësuesi Personal i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për konfliktin e trajtuar nga Konferenca e Minsk OSBE-së
Kolonel Sulo Mustafaraj
Shef i Grupit të Planifikimit të Nivelit të Lartë
Volker Frobarth
Përfaqësues në Komisionin e Përbashkët Letonez – Rus për Pensionistët Ushtarak;
Rabbi Andrew Baker
Përfaqësuesi Personal i Kryesuesit të OSBE-së për Luftimin e Anti-Semitizmit
Profesor Regina Polak
Përfaqësues Personal i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për Luftimin e Racizmit, Ksenofobisë dhe Diskriminimit, duke u përqëndruar edhe në Intolerancën dhe Diskriminimin ndaj të Krishterëve dhe Anëtarëve të Feve tjera
Ambasadori Mehmet Paçacı
Përfaqësuesi Personal i Kryesuesit të OSBE-së për Luftimin e Intolerancës dhe Diskriminimit ndaj Myslimanëve
Ambasadori Melanne Verveer
Përfaqësuesi Special i Kryesuesit të OSBE-së për Gjininë;
Paola Severino
Përfaqësues Special i Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për Luftimin e Korrupsionit
Valiant Richey
Përfaqësues Special dhe Koordinator i OSBE-së për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore
Alba Brojka
Përfaqësues Special i Kryesuesit të OSBE-së për Rininë dhe Sigurinë;
Edi Rama e konsideroi marrjen e kryesimit të OSBE një moment historik për Shqipërinë. “Është një ditë shumë e rëndësishme. Jam shumë krenar dhe ka një bashkëpunim shumë të mirë. Këtu kemi një ekip shumë të mirë me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme” tha Rama.
Ndërkohë 18 nga punonjësit në zyrën e OSBE-së janë shqiptarë ose 60% dhe 12 janë të huaj ose 40% e stafit prej të cilëve 2 italianë, 2 gjermanë, 2 norvegjezë, një austriak, një zviceran, etj.