Ish- ministri i jashtëm dhe deputeti i PS, Ditmir Bushati në ditëlindjen e 29-të të PS ka folur për sfidat e partisë drejt një mandati të ri apo të tretë. Bushati thotë se PS nuk duhet të ketë drojë pas 7 vite qeverisjeje të pranojë gabimet dhe të vetëkorrigjohet dhe se kjo bëhet përmes një rruge të re për shqiptarët. Ja se çfarë shkruan deputeti Bushati:

“Guximi për të ndryshuar! Këtë vit, ditëlindja e PS-së na gjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021-it. Zgjedhje, të cilat do të përcaktojnë rrugën që do përshkojë Shqipëria në dekadën e tretë të shekullit të ri. Para 7 vitesh, ne erdhëm në krye të punëve të vendit me një program që i dha motiv njerëzve. Reformat e nisura në drejtësi, energji, financë, arsim e shëndetësi ngjallën shpresë dhe besim.

Projekti i rilindjes urbane rigjallëroi qytetet tona që ishin lënë pas dore. Reformat shtet-ndërtuese na dhanë dinjitetin e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duhet të kujdesemi që të ruajmë profilin tonë si partia me hapësirën më të madhe të lirisë së mendimit dhe debatit. Hendeku ynë zhvillimor me BE-në, më shumë sesa ekonomik, i ka rrënjët pikërisht tek mungesa e pronësisë së reformave që janë jetike për një shoqëri demokratike, si qumështi i nënës për foshnjen.

Kur frytet zhduken, ose monopolizohen nga pak duar situata bëhet e keqe. Ndaj, sfida jonë është si të ndërtojmë një kapitalizëm progresiv që shkon përtej një grushti përfituesish që vërtiten rreth e përqark buxhetit të shtetit dhe pasurive natyrore, duke siguruar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Në këtë ditëlindje të PS-së, një vit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, është momenti që ne t’i drejtojmë vetes disa pyetje, thelbësore për të kuptuar ku jemi dhe për të mos rënë në kurthin e profecisë vetpërmbushëse. Sikurse, duhet të nxisim një debat të njëmendtë për sfidat që na presin drejt një mandati të ri.

Ne nuk kemi luksin as t’i bishtnojmë sfidave me të cilat na vë përballë koha, e as të mjaftohemi me diagnostifikimin e problemeve. Na duhet të dëshmojmë guxim për të ndryshuar dhe të punojmë për zgjidhje të reja. Të hapim një debat shoqëror për të ballafaquar idetë tona për një rrugë të re që na çon drejt një mandati të ri qeverisës. Të mos kemi drojë për të pranuar gabimet dhe nevojën për t’u vetkorrigjuar.

Duhet të ndërtojmë një shtet efikas që garanton sundimin e së drejtës në ekonomi dhe jo shoqërinë e shtetit që ushqen parazitizëm dhe asfikson konkurrencën.Partia Socialiste ka fuqi intelektuale dhe energji njerëzore për të ofruar një rrugë të re për një mandat të ri. Shumica e heshtur e këtij vendi, e velur me politikën e ditës, është në kërkim të një rrugë të re. Ne duhet të jemi gati!”

Artikulli paraprakINTEGRIMI, META: DO TË JAPIM SUGJERIME KONKRETE, DUHET BASHKËPUNIM
Artikulli tjetërOFL LLOGARI PËR PASURINË DY SHTETASVE NË SHKODËR