Ditën e djeshme në të gjithë vendin tonë ka mbizotëruar një mot i paqëndrueshëm ku erërat e forta kanë shkaktuar dallgë të mëdha në det. Si pasojë dy persona gjetën vdekjen, ndërsa 26 pushues të tjerë janë shpëtuar nga rojet bregdetare e policia, në Velipojë Vlorë e Sarandë.
Ndërkohë sipas Institutit të Gjeoshkencës IGJEUM, situata me motin do të mbetet e njëjtë edhe gjatë ditës së sotme, ku priten reshje shiu në të gjithë vendin, si dhe erë e fortë, kryesisht në pjesën e dytë të ditës, ndërsa temperaturat do të shënojnë zbritje.
Po kështu gjatë natës së sotme në Tiranë ka patur një erë të fortë që është shoqëruar me vetëtima dhe reshje shiu. Fatmirësisht nuk raportohet për dëme në njerëz apo dëme materiale. Ndërsa në Llogara është bllokuar për pak minuta rruga për shkak të një aksidenti të ndodhur, ku dy makina kanë patur gërvishtje të lehta.
Moti për sot sipas IGJEUM:
(E hënë, dt.29) priten reshje të dobëta në të gjithë qarqet, me përjashtim të qarkut të Shkodrës dhe Lezhës ku reshjet do të jenë mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata
Temperaturat:
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: Në bregdet: 22 / 28 °C; në vendet e ulëta: 20 / 30 °C; në vendet malore: 14 / 23 °C.
Era:
Do të vazhdojë të fryjë e lehtë, por deri mesatare gjatë pasditeve (për momente të shkurtra deri e fortë), sidomos në qarqet e veriut dhe të bregdetit.