Një ditë pas pas zjarrit masiv që përfshiu pallatin 5-katësh në Pogradec, ajo se çfarë ka mbetur është hiri dhe trarë të djegur që lëshojnë ende tym.
Situata është e rëndë, ndërsa banorët janë të shokuar nga ajo se çfarë iu ka ndodhur. Më e rëndë bëhet situata edhe pasi tashmë ata kanë humbur pasurinë e një jete të tërë që kanë punuar.
Të dëmtuarit e kanë të pamundur të flasin ndërsa të afërmit e tyre japin detaje se cfarë ka ndodhur qysh në fillim të rënies së flakëve.
Pavarësisht punës të bërë nga ekipi i zjarrfikësve, ata thonë se mungonte organizimi, ndërsa mjetet kishin probleme teknike. Ajo çfarë gjen sot në këto banesa është një pamje e trishtë dhe banorë që kanë mbetur në qiell të hapur. Banorer fajësojnë se zjarrfikëset, qe sipas të cilëve nuk kanë shkuar në kohën e duhur për të bërë shmangur një tragjedi të këtyre përmasa.
Komandanti i MZSH Pogradec Armand Gora shprehet se është punuar me kapacitete të plota, pavarësisht se nga 3 mjete vetëm njerin kanë të ri, ndërsa dy të tjerët janë të vjetër.
Në vendngjarje tashmë kanë mbrritur edhe ekipet e emergjencave civile të cilët po bëjnë vlerësimin e dëmeve. Avni Myrte tregon se dëmet janë të mëdha, ndërsa janë dëmtuar banesat e 6 familjeve, që shkon në total 6 apartamente dhe 6 papafingo. Myrte thotë se sipas ligjit në këto raste bëhet zhdëmtim në masën 50%.
Një çift të moshuarish janë akomoduar në hotel, ndërsa familjet e tjera kanë preferuar të shkojnë tek të afërmit edhe pse Bashkia iu ka ofruar strehim. Ndërsa pritet të vijnë edhe ekspertë të tjerë nga Këshilli i Qarkut, bashkia Pogradec pritet që në Këshill të miratojë edhe masën e shpërblimit për familjet.
Ndërsa edhe njeherë del në pah problematika e sigurimit të banesave pasi edhe këto banesa si shumë të tjera nuk janë të siguruara, akoma më tej ishin edhe shtesa të palegalizuara që janë ndërtuar në vitet 2000-2003.
“Unë kam qenë në një lokal në Pogradec dhe shikoj që aty tym. U them shokëve orë ca po ndodh, tymi ishte i pakët jo shumë dhe sikur ma ndjeu zemra thashë të shkoj një herë. Marr burrin e tezes në celular dhe i them sikur ajo shtëpia jote ka tym, mos ka ndonjë gjë? Vij deri në gjysmë të rrugës dhe më thotë një shok hajde se pallati i tezes po digjet. U hap çatia, aty mori flakë pastaj i gjithë. Vijnë zjarrfikëset s’kishin ujë.
Zjarrfikëset kanë ardhur me 20-30 min vonë, ato që erdhën në kohë nuk u punonte uji. Kam marrë një markush të madh e kanë vënë në liqen dhe pastaj e kanë shuar zjarrin. Nëse zjarrfikëset do kishin organizimin nuk do kishte ky dëm, të ndaheshin para dhe mbrapa. Është turp të fikësh këtë zjarr me tre zjarrfikëse”, tha njëri prej tyre.
Shemshie Ilo sapo ishte rikthyer nga SHBA-ja dhe rrugës nga aeroporti mësoi se shtëpia e saj ishte një nga 12 apartamentet që u shkrumbuan nga flakët ditën e djeshme në qytetin e Pogradecit, për shkaqe që ende nuk dihen. Nga ajo shtëpi, kanë mbetur vetëm muret dhe gjithçka tjetër së bashku me kujtimet, janë bërë shkrumb e hi. Me lot në sy, Shemshija kërkon dëshpërimisht foto të fëmijëve, por zjarri është treguar i “pamëshirshëm” duke i rrëmbyer mundin dhe sakrificën e një jete të tërë.
“Gjithë jeta më iku, s’ka një fotografi të fëmijëve. S’po gjej një fotografi. S’i nuk paska shpëtuar anjë, s’kam asnjë fotografi të fëmijëve. I bëra me njëmijë hallë këtë shtëpi, nuk e di si ndodhi. Asnjë s’ishte në shtëpi. I kam humbur të gjitha. E kalova natën te motra. Unë isha në Amerikë, djali kur më mori në Rinas e mora vesh.
Dje erdha dhe e gjeta shkrumb e hi. Gjithë Pogradeci e di si e kam bërë këtë shtëpi, sa kam vuajtur. E kam bërë me pe e me gjilpërë gjithçka. Asgjë nuk më ka mbetur. 54 vite të jetës sime të mundimshme. Me grep e me shtiza kam punuar dhe vetëm i kam mbajtur fëmijët dhe i kam shkolluar”, thotë mes lotëve Shemshie Ilo, teksa nuk i ndal kërkimet.