Katër persona kanë rënë në prangat e policisë, teksa po përpiqeshin të këmbenin një sasi lënde narkotike me armë dhe municion luftarak. Në pranga kanë rënë A. H., 33 vjeç, R. T., 23 vjeç, banues në Pukë, K. M., 25 vjeçe dhe F. M., 19 vjeç, banues në Shemri, Kukës.
Mësohet se armët i përkisnin dy personave me origjinë nga Kukësi të cilët do i shkëmbenin ato me lëndën narkotike të dy pukjanëve. Shkëmbimi do të bëhej në vendin e quajtur në Qafë-Shllak, ku është bërë ndalimi i tyre teksa po lëvznin me automjetet tip “Benz” dhe “Opel”.
“Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në automjetet e tyre u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike, 2 armë tip automatik, si dhe rreth 900 fishekë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje””, njofton policia.