“Do të djeg burgun po s’më latë në varrimin e djalit’
Babai i 12-vjeçarit që humbi jetën dje duke luajtur mbi liqenin e ngrirë të Kasharit, Fatos Gurakuqi, ka kërkuar leje nga drejtoria e burgut për të përcjelë fëmijën në banesën e fundit, por nuk është lejuar. Varrimi ka qënë sot në mesditë, në orën 12:30 dhe Gurakuqi s’ka mundur të shkojë. Pas lutjeve, ai ka kërcënuar “Do të djeg burgun nëse s’më lejoni të vete në varrim”. Avokati i tij e ka paraqitur kërkesën për leje në orën 12:00, tepër vonë sipas Drejtorisë së Burgjeve; po ashtu, nuk ka paraqitur një çertifikatë familjare; nga ana tjetër, Gurakuqi është dënuar me burg pikërisht për një krim që ka kryer ndaj familjes së tij, inçestit dhe abuzimit me vajzën e tij të mitur, 14-vjeçaren që për pak u mbyt dje bashkë me vëllanë e saj 12-vjeçar. DEKLARATA E POLICISE LIDHUR ME VDEKJEN E 12-VJEÇARIT Më datë 11.01.2017, rreth orës 14:15, në liqenin e Kasharit, është mbytur aksidentalisht shtetasi i mitur F. G., 12 vjeç, banues në Tiranë, i cili duke luajtur është futur në brëndësi te liqenit të ngrirë, ku akulli është thyer dhe fëmija ka rënë brënda në liqen. Për t’i dhënë ndihmë është futur në liqen edhe motra e tij E. G., 14 vjeçe, e cila ka rrezikuar të mbytej, por e kanë shpëtuar banorët e zonës. E.G, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.