Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një deklaratë për mediat i ka kërkuar qytetarëve shqiptarë që mos të shpërdorojnë energjinë elektrike, duke marrë shkas edhe nga kushtet meteorologjike në vend.
Ministrja tha se janë marrë të gjitha masat për furnizimin e vendit me drita.
“Do të kemi temperatura të ulëta që do të krijojnë probleme. Më duhet t’ju jap një informacion të detajuar për sa i përket kushteve. Kemi marrë masa në të gjithë Shqipërinë. OSHEE dhe KESH janë në gatishmëri, jemi duke punuar në fuqi të plotë. Jemi aktualisht me 14 mijë megavat orë kërkesë ditore dhe pritet që kjo shifër të shkojë 24 mijë megavat orë kërkesë ditore. 80% më shumë, do të bëjë që të kemi presion të madh, por do të furnizohet i gjithë territori. Për shkak të temperaturave minus dhe dëborës mund të kemi edhe avari, por do të mundohemi të jemi në gatishmëri në të gjithë vendin. Për shkak të konsumit të madh do të kërkoj që të jemi të kujdesshëm të mos e shpërdorojmë energjinë, situatë e jashtëzakonshme. Do të mbrojë të gjithë konsumatorët qofshin familjarë, biznes i vogël apo i mesëm. Do t’ia dalim në këtë sfidë me motin”, pohoi ministrja.