Kanalet e ujërave të zeza në fshatin Dobraç i Ri, vetëm 3 km larg qytetit të Shkodrës, thuajse janë bllokuar, ndërsa pluhuri që krijohet në rrugë është kthyer në vështirësi serioze për banorët e zonës.

Disa km kanale kullimi që nisin nga aksi nacional Shkodër –Han i Hotit dhe mbërrijnë deri në afërsi të liqenit të Shkodrës janë mbushur me shkurre të shumta si dhe mbetje urbane. Banorët kanë shprehur disa herë shqetësimin e tyre për mos pastrimin e kanaleve kulluese, por problem kryesor për këtë zonë është rruga tejet e amortizuar.

Mbi 1000 banorë të Dobraçit të Ri lëvizin çdo ditë mes pluhurit si pasojë e amortizimit të rrugës. Gjatë periudhës së reshjeve gjithashtu lëvizja mbetet e vështirë për shkak të gropave më ujë. Kjo zonë është pjesë e Njësisë Administrative Rrethinat, megjithatë problemi infrastrklturor zgjatet deri në qytetin e Shkodrës, ku dhjetëra km rrugë që lidhin fshatrat me njëra-tjetën apo lagjet ndërmjet tyre, janë në një gjendje të ngjashme. Premtimet kanë qenë të shumta për fshatin Dobraç i Ri, por investimet sistematikisht kanë munguar.

Artikulli paraprakFLUKS PRANË QENDRËS SË SHËNDETIT MENDOR
Artikulli tjetërZJARRET, REAGON KRYEMINISTRI RAMA