BILANCI I 12 MUAJVE, ULJE E BORXHIT DOGANOR NË NIVELIN 17.5%.
Drejtoria e Doganave bëri sot analizën 12 mujore të punës së saj, nën qeverisjen e mazhorancës së majtë, ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani si dhe zëvendësministri Niko Peleshi.
drejtoresha e këtij dikasteri, Elisa Spiropali, theksoi se gjatë këtij 1 viti të punës së doganave, janë arkëtuar 18.9 miliardë lekë më shumë se 1 vit më parë, ndërsa shtoi se tashmë doganat kanë edhe një kod të ri doganor që do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Sa i përket luftës ndaj korrupsionit, Spiropali u shpreh se në 12 muaj janë bërë 126 kallëzime, ose më saktë 117% më shumë se një vit më parë, të bizneseve që kërkonin të ruanin pozicionin e tyre në treg përmes pandëshkueshmërisë.
Drejtoresha e doganave, në bilancin e paraqitur të këtyre 12 muajve të fundit, nënvizoi edhe uljen e borxhit doganor në nivelin 17.5%.
Sa i përket fushave të tjera, drejtoresha e doganave, u shpreh se detyra e doganave nuk është vetëm kontrolli por edhe lehtësimi i procedurave. Në këtë kuadër, ajo u shpreh se brenda 3 javësh do të jetë gati projekti i tranzitit të përbashkët me doganën e Kosovës, ku tashmë mes dy vendeve do të ekzistojë një pikë e përbashkët doganore.