Del raporti i ‘Doing Business’ Shqipëria ngjitet me 32 vende .Ministrja Ekonomi: Raporti historik. Problemi i vetëm skanimi në dogana.
Shqipëria është përmirësuar me 32 vende në raportin e Bankës Botërore ‘Doing Business për 2017’. Shqipëria është pozicionuar në vendin e 58 nga 190 vende. Në raport theksohet përmirësimi në marrjen e lejeve të ndërtimit, sigurimi i energjisë, pagimi i taksave. Ministria e Ekonomisë, Milva Ekonomi e cilësoi si historike renditjen e Shqipërisë për këtë vit në raportin e publikuar. “Renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë, që nga viti 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore. Raporti konfirmon rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga Qeveria për lehtësitë e të bërit biznes, duke nënvizuar se distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira, në të bërit biznes ka patur një përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 61.3 pikë në raportin e vitit të kaluar në 68.9 pikë në raportin e sivjetshëm” tha ministrja. I vetmi vendim i qeverisë shqiptare që ka pasur ndikim negativ në renditjen e Shqipërisë ka qenë ai për të skanuar në mënyrë të detyrueshme në dogana çdo mall që importohet ose eksportohet. Megjithatë sipas ministres, ky vendi që ndonëse mund të ngadalësojë procedurat e eksport/importit është tejet i rëndësishëm në kushtet e debatit të sotëm për sigurinë e mallrave që importohen në vend, apo të debatit për importin e mbetjeve të riciklueshme. Deklarata e ministres Ekonomi “Pak minuta me parë, Banka Botërore publikoi raportin e saj të përvitshëm “Të bësh biznes”. Vendi ynë renditet i 58-tinga 190 shtete që Banka Botërore vlerësoi këtë vit. Ky është jo vetëm një përmirësim i dukshëm prej 32 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, por është njëkohësisht renditja dhe vlerësimi më i mirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë, që nga viti 2003 kur ky raport u publikua për herë të parë nga Banka Botërore. Gjithashtu raporti konfirmon rritjen cilësore të reformave të ndërmarra nga Qeveria për lehtësitë e të bërit biznes, duke nënvizuar se distanca e Shqipërisë ndaj praktikave më të mira, në të bërit biznes ka patur një përmirësim të dukshëm, duke u rritur nga 61.3 pikë në raportin e vitit të kaluar në 68.9 pikë në raportin e sivjetshëm. Vlerësimi i Bankës Botërore ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm sepse konfirmon që reformat e ndërmarra nga qeveria janë duke ecur në drejtimin e duhur, por çka është më e rëndësishme, sepse inkurajon investitorët e huaj për të ardhur në Shqipëri, pasi vendi ynë është miqësor ndaj sipërmarrësve të huaj dhe të bësh biznes tek ne VLEN. Jane tre reformat e mëdha që kanë bëre të mundur këtë vlerësim kaq pozitiv, më të mirin që Shqipëria ka patur ndonjëherë. E para, reforma me thjeshtimin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Raporti thekson se në fushën e lejeve të ndërtimit, Shqipëria ka thjeshtësuar procedurat për marrjen e lejes dhe ka hartuar një rregullore të re për lejet e ndërtimit, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 83 vende. E dyta, reforma në marrjen e energjisë dhe shpejtësinë e lidhjes në rrjet. Në marrjen e energjisë, raporti nënvizon se efiçenca e procesit të marrjes së energjisë është përmirësuar. Raporti evidenton se, koha për marrjen e një lidhje të re energjie u shkurtua me 43 ditë, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 6 vende. E treta, reforma në pagesën e taksave. Pagesa e taksave, sipas raportit “Te bësh biznes” është bërë më e shpejtë dhe e thjeshtë me fillimin e pagesës elektronike të taksave që nga 1 janari 2015. Koha totale e pagesave u shkurtua me 96 orë. Renditja e Shqipërisë në këtë indikator është përmirësuar me 45 vende. Për të qenë të sinqertë deri në fund, nga të gjithë indikatorët përmes të cilëve Banka Botërore vlerëson ekonomitë, i vetmi vendim i qeverisë Shqiptare që ka patur ndikim negativ në renditjen e Shqipërisë ka qenë ai për të skanuar në mënyrë të detyrueshme në dogana çdo mall që importohet ose eksportohet. Vendim ky që ndonëse mund të ngadalësojë procedurat e eksport/importit është tejet i rëndësishëm në kushtet e debatit të sotëm për sigurinë e mallrave që importohen në vend, apo të debatit për importin e mbetjeve të riciklueshme. Përfitoj nga ky rast të falënderoj të gjithë kontribuuesit, si nga institucionet shtetërore, organizatat e biznesit apo partnerët ndërkombëtarë për kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e reformave që sollën këtë përmirësim cilësor në lehtësitë e të bërit biznes dhe mundësuan renditjen e Shqipërisë në pozicionin e 58-të për vitin 2017″.