“Luçia Nadin dhe shqiptarët në Venedik (1479-1552)” është dokumentari i shfaqur në kinema “Republika” në Shkodër. E cilësuar si Edit Durham e kohëve të sotme, dokumentari përmban veprat e studiueses italiane Luçia Nadin e cila ka nxjerrë për herë të parë nga arkivat dokumente të rëndësishme shqiptare ku ndër më të rëndësishmet janë “Statutet e Shkodrës”.
Ky dokumentar i realizuar nga Ilir Yzeiri u shfaq në kuadër të konferencës shkencore “Shkodra Ndër Shekuj” që po organizohet nga universiteti “Luigj Gurakuqi”.
Studiues dhe historian e cilësojnë Luçia Nadin si një rast të rrallë kur një i huaj vjen në Shqipëri dhe kontribuon për historinë e vendit tone.
Dokumentari “Luçia Nadin dhe shqiptarët në Venedik (1479-1552)” nis me një pamje të veçantë, atë të “Rrethimit të parë i Shkodrës” në Pallatin Dukal, duke treguar rëndësinë që kishte Shqipëria për Venedikun. Dokumentari është ndërtuar dhe mbështetur në veprat e Luçia Nadin: “Shqiptarët në Venedik-Emigrim e integrim”, “Shqipëria e rigjetur”, “Statutet e Shkodrës”, “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore e artistike të Venedikut” e plot studime të tjera. Nadin përmes studimeve të saj tregoi se si Shqipëria e mesjetës ishte realisht një vend europian.