Dokumente false, nën sekuestro preventive toka në Zvërnec
Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata ka vendosur nën sekuestro dy parcela tokë me sipërfaqe totale 52.000 m2 në zonën e Zvërnecit, të dyshuara se janë përfituar në bazë të dokumentacionit të falsifikuar. Prokuroria e Vlorës ka nisur kryesisht hetimin për këtë rast, në bazë të të cilit, deri në këtë fazë ka rezultuar se: Dosja gjyqësore që i përket vendimit civil nr. 3805, datë 23/12/1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe dosja gjyqësore që i përket vendimit civil nr. 147, datë 24/12/1997 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë falsifikuar dhe futur në kundërshtim me ligjin në arkivën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky fakt është provuar nga akti i ekspertimit tekniko-grafik. Rezulton e provuar se përmes vendimit civil nr. 3805, datë 23/12/1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, i cili është tërësisht i falsifikuar, është pasqyruar fakti sikur i janë kthyer në natyrë shtetases Shqiponjë Eminaj (Kamberaj) dy parcela të lira, njëra 30.000 m2; dhe parcela e dytë me sipërfaqe 22.000 m2, pronë e cila ndodhet në bregdet në zonën e Zvërnecit, Vlorë. Rezulton e provuar se edhe vendimi civil nr. 147, datë 24/12/1997 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është tërësisht i falsifikuar, ku përmes së cilit është pasqyruar fakti i rremë, sipas të cilit është lëshuar urdhëri i ekzekutimit për vendimin nr. 3805, datë 23/12/1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Nga hetimi është provuar se pasuria e mësipërme me sipërfaqe 52.000 m2 është regjistruar më datë 21/03/2013, pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Regjistrimi i kësaj pasurie është kryer mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, e konkretisht dy dosjeve të mësipërme gjyqësore. Pas regjistrimit të kësaj pasurie, e cila kap vlerën e mbi 2 milion Euro, janë kryer veprime juridike mbi këtë pasuri, e konkretisht ndarje, shitje dhe dhurime, me qëllim fshehjen e paligjshme të origjinës së kësaj pasurie. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e paluajtshme me sipërfaqe 52.000 m2.