Me ndarjen nga jeta të Ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, Selia e Sapës mbeti vakante. Për këtë arsye, me 26 maj 2016, në një klimë vëllazërore u mblodh Këshilli i Konsultorëve të dioqezës, për të zgjedhur Administratorin e Dioqezan. 

Takimi u udhëhoq nga Don Enzo Zago, famullitari i famullisë së Shën Shtjefnit Blinisht. Pas diskutimeve të ndryshme u bë votimi ashtu siç e parasheh edhe Kodi i Të Drejtës Kanonike. Me shumicë votash, ish Vikari Gjeneral, don Simon Kulli u zgjodh Administratori Dioqezan.  Dom Simon Kulli është ndër të parët meshtarë shqiptarë, i cili është shuguruar në vitin 2000. Jeta e tij meshtarake prej 16 viteve ka një veprimtari të shquar jo vetëm në pastoralen dioqezane e në mbarështimin e sakramenteve, por edhe në strukturat drejtuese. Gjatë këtyre viteve ka ushtruar shumë detyra në mbarëvajtjen e jetës dioqezane, si: sekretar, kancelar, ekonom, drejtor i Caritasit, drejtor i Fondacionit Drita dhe së fundi Vikar Gjeneral i Dioqezës. Që prej 10 vitesh, është famullitar i Katedrales Nënë Tereza në Vau-Dejës.  Me zgjedhjen e tij në krye të Dioqezës, Dom Simon Kulli premton se bashkë me Klerin dioqezan, do të vazhdojë të ndjekë gjurmët e ipeshkvit të ndjerë, Imzot Lucjan Avgustinit, e do ta çojë përpara misionin e ungjillëzimit, punën dhe veprimtarinë e gjithë dioqezës së Sapës.

Artikulli paraprakPASARDHËSI I MARK LULA REAGON DHE NUK PRANON VENDIMIN E KËSHILLIT BASHKIAK SHKODËR
Artikulli tjetërVLLAZNIA, DREJTUESIT NISIN TË LËVIZIN PËR NDËRTIMIN E EKIPIT