Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela po përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Prela do të vlerësohet nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari. I pranishëm në seancë e vlerësimit, është edhe vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jacobs, si përfaqësuesi i ONM.
Sipas KPK-së, Prela ka mosdeklarim të huamarrjes me 1 milion lekë në tetor të 2010-ës. Ndërkohë ka dyshime për huamarrje 25 mijq € në vitin 2010, të cilën e ka kthyer në 2014. Ka dyshime për çmimin e blerjes së një toke nga Donika Prela, të ardhurat e së cilës i ka paguar nga paga si prokurore.
Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.
Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Donika Prela nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Donika Prela nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003; kohë që përkon me deklarimin e saj të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj kap vlerën e 11.1 milionë lekëve.