Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas dorëheqjes së Alibeajt nga drejtimi i PD. Ai sqaron se pas tërheqjes së Alibeajt, ka kërkuar takim urgjent me Jorida Tabakun e cila është nënkryetare e PD dhe si e tillë mund të zëvendësojë kryetarin për sa kohë mungon një i tillë. Në rast se Tabaku do të marrë përsipër që të zëvendësojë kryetarin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, atëherë do të mblidhet Këshilli Kombëtar që bën komandimin.
“Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore.
Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”, shkroi Bardhi.