Kreu demokrat Lulzim basha ka reaguar në lidhje me dorëzimin e mandatit të deputetit nga Eduart Halimi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se Halimi vendosi të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë.

Reagimi i Bashës Eduart Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë. Dëshira ime për ta patur pjesë të ekipit, të grupit parlamentar të PD ishte e madhe, por po kështu edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij. Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë, dhe në opozitë po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetueshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme. Shpreh falenderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar, dhe bashkë me urimet e mia më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë ti shërbejë ligjit dhe vendit.

Deputeti socialist Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, në lidhje me dorëzimin e mandatit nga kolegu i tij demokrat, Eduart Halimi. “Sapo mësova nga mediat se Eduard Halimi ka hequr dorë nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. U befasova ! Ishte një kundërshtar i vështirë, sepse është një jurist i aftë. Pertej “hallit” të argumentimit juridik të pozicioneve shpesh të pambrojtshme politike të lidershipit të partisë së tij, zoti Halimi mbetej gjithnje një koleg i çmuar. Me ikjen e tij peshorja e komisionit djathtas lehtësohet ndjeshëm për fat te keq. Megjithatë jeta vazhdon dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve po edhe si ish-koleg deputet dhe koleg në profesion, i uroj Eduard Halimit shëndet e mbarësi në jetën e re jashtë politikës”, shkruan Manja

Artikulli paraprakDEPUTETI I PD EDUARD HALIMI DORËZON MANDATIN E DEPUTETIT
Artikulli tjetërGJYKATA PEZULLON VENDIMIN E ÇAKOS PËR LIÇENCAT E BALILIT