Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi ka dhënë dorëheqjen këtë të martë, duke e komunikuar vendimin e marrë prej tij në një postim të gjatë në rrjetet sociale.
Ajo që ka ndryshuar qëndrimin e kreut, tashmë të dorëhequr të Bashkisë së Kavajës është një dënim, që ai thotë se e ka marrë minoren dhe në padijeni. “Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultojë të jem dënuar si minoren! I bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua me ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq, as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenesh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç”, thotë Rroshi. Ai thotë se nuk ishte në dijeni të dënimit dhe ndaj nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, ndërsa zotohet se do të vijojë betejën për të gjetur drejtësinë. “Faktikisht pa e ditur këtë dënim s’kam pasur si ta deklaroj, ndërsa pasi jam venë në dijeni, kjo për mua është bërë një çështje që i përket drejtësisë jo politikës. Prandaj unë nuk mund të vazhdoj i qetë detyrën time si deri dje, për sa kohë pafajësia ime nuk është më një e vërtetë e provuar ligjërisht përballë çdo shpifësi”, shkruan ai. Ai thotë se e priste këtë sulm nga Partia Demokratike që në momentin që fitoi zgjedhjet në Kavajë dhe këmbëngul se nga ligji i dekriminalizimit del i pastër. “Që në momentin kur ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi, u lidha me avokatët e mi që të siguroja përgjigje me dokumente ndaj çdo sulmi te Shqup-it për jetën time në emigracion. Të gjitha dokumentet që mora nga të gjitha shtetet ku ka kaluar rruga ime e emigrimit, provojnë qartësisht atë që unë kam thënë: Asnjëherë i dënuar askund, përveçse i përzënë si dhjetëra-mijëra shqiptar në vitet e para të emigracionit për probleme dokumentesh”, thotë ai.