Dorëhiqet pasuesi i Prengës në Lezhë, mandati i kalon LSI-së

Mandati i deputetit në qarkun e Lezhës duket se zyrtarisht do t’i kalojë LSI-së. Kandidati për deputet Kastriot Piroli, në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës i ka paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjen e tij. Piroli shkruan se i mbeten vetëm dy muaj mandat efektiv në parlament dhe për këtë arsye nuk i duhet mandati i deputetit, që i takonte pas largimit të Armando Prengës. Kastriot Piroli ishte pjesë e listës shumëemërore të Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 2013-ës. Ndërkohë, dorëheqja e Pirolit duket edhe si një lëvizje strategjike e tij për t’i shpëtuar verifikimeve të autoriteteve në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Ai rezulton të ketë pasur probleme të theksuara me drejtësinë, pasi në ngarkim të tij ka dy vendime të forcës së prerë në vitin 2016, për veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Hipotekës së Kurbinit. Kastriot Piroli është dënuar me një vit e 6 muaj burg, që i është konvertuar me 18 muaj shërbim prove. Ndërsa herën e dytë është dënuar me 6 muaj burg, të cilin e ka shlyer me periudhën e paraburgimit. Në të dyja rastet Apeli e ka shpallur fajtor, e për pasojë ai ishte subjekt i ligjit të Dekriminalizimit çka do të thotë se nuk mund të ulej në karrigen e lënë bosh nga Prenga. Në kushtet kur emri i fundit i PS-së në listën shumëemërore të qarkut të Lezhës, nuk merr dot mandatin e deputetit, sipas Kodit Zgjedhor mandati i kalon forcës së dytë brenda koalicionit. Sipas ligjit, mandatin e deputetit pritet ta marrë kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Zef Gjoni, i cili do të ulet në karrigen e Kuvendit për tre muajt e mbetur të kësaj legjislature parlamentare.

Artikulli paraprakVKM – RRITJE PAGE PËR PUNONJËSIT E SHËRBIMIT SEKRET TË USHTRISË DHE SHOFERËT E URGJENCËS
Artikulli tjetërRAMA, VUÇIÇ DHE MUSTAFA DARKOJNË SË BASHKU NË SARAJEVË