Pak ditë më parë bashkia Shkodër vendosi një pllakatë në banesën ku jetoi kompozitori i operas së parë shqiptare Prenk Jakova. Pllakata u vendos në 105-vjetorin e tij të lindjes. Lekë Jakova, nipi i Prenk Jakovës, një prej muzikantëve më të mëdhenj të artit shqiptar thotë se duhet që të shkohet më tej. Ajo që kërkon është krijimi i një muzeu të vogël për Prenk Jakovën qoftë edhe brenda banesës.

Në shtëpinë ku jetoi Prenk Jakova gjendet të gjithë dorëshkrimet originale të tij por edhe kjo piano me të cilën kompozoi disa pjesë. Për shkak se koha kalon dhe dorëshkrimet vijnë e vjetrohen kërkohet dora e shtetit për dhomën muze.

Veprat e Prenk Jakovës, dy më të njohurat, opera e parë shqiptare Mrika dhe opera Skenderbeu për vite me radhë janë lënë në harresë. Opera Skenderbeu u la pa asnjë arsye duke u vënë në skenë pas 40 vitesh ndërsa opera Mrika cilësohet si ideologjike e kohës monizmit.

Nipi i Prenk Jakovës shprehet se opera Mrika ka arie dhe duete që krahasohen me veprat e Verdit por nuk beson se po lihet në harresë vetëm për shkak të ideologjisë.
Lekë Jakova edhe ai një muzikant duke trashëguar pasionin e xhaxhait të tij luan në piano pjesën Vjeshta, kompozuar nga Prenk Jakova, një perlë e muzikës por e panjohur për publikun e gjërë.

Opera e parë shqiptare “Mrika” kompozuar nga Prenk Jakova u vendos në skenën e teatrit “Migjeni” dhe më pas vijoi me operan e dytë “Skenderbeu” dhe një sërë kompozimesh të tjera duke u kthyer kështu në një prej kompozitorëve më në zë të artit shqiptar por i njohur edhe në artin ndërkombëtar pasi shumë vepra të tij luhen në disa prej skenave më të mëdha botërore nga artistë shqiptar dhe të huaj.

 

Artikulli paraprakSEANCË DHURIMI GJAKU PËR FËMIJËT TALASEMIKË
Artikulli tjetërNDRYSHOJNË ÇMIMET E KARBURANTEVE NJË DITË PAS PROTESTËS