Bllokohet në Gjykatën e Apelit procesi ndaj Izet Haxhisë. Burime nga Gjykata e Apelit thanë se procesi ka ngecur. Kreu i Gjykatës Hysni Demiraj i është drejtuar përmes një kërkese KLD-së duke i kërkuar delegimin e një gjyqtari për procesin “Hajdari”.
Gjyqtarët e Apelit shprehen se janë në konflikt interesi pasi janë kolegë të Fatmira Hajdarit, bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari dhe për rrjedhojë nuk pranojnë shqytimin e dosjes. Fatmira Hajdari është gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Gjyqtaret e Apelit që kanë dhënë dorëheqje nga procesi janë Valdet Hoxha, Genti Shala dhe Astrit Haxhialushi.
Në Gjykatën e Apelit Izet Haxhia kërkon rigjykim për dënimin me 25 vite burg në mungesë. Haxhia është i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e deputetit të PD Azem Hajdari në 12 shtator 1998.