Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari dhe Brunilda Bekteshi, ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtarin pranë Gjykatës së Apelit Korçë, Sotiraq Lubonja.
Ky i fundit është hetuar për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Gjyqtari është shkarkuar për shkak se nuk ka mundur të kalojë testin e pasurisë.
Përpos të tjerave, gjyqtari ka deklaruar 9.296.340 lekë ose 85 mijë USD dhuratë nga vjehrri, vjehrra dhe kunati nga viti 2005 deri në vitin 2016.
I pyetur nga anëtarët e Komisionit të Vetingut mbi këto dhurata të pazakonta, gjyqtari Sotiraq Lubonja ka pohuar se kështu është tradita e familjes shqiptare dhe se dhurimi ka qenë një kënaqësi e vjehrrit, vjehrrës dhe kunatit.
“Për sa u përket veprimeve të dhurimit nga ana e vjehrrit, vjehrrës e kunatit, subjekti i rivlerësimit sqaron se ka qenë kënaqësia e tyre dhe dëshira e tyre, si edhe mundësitë financiare për të mikpritur nipërit dhe familjen e vajzës së tyre, ashtu siç është tradita e familjeve shqiptare, e aq më tepër të gjakut të tyre, në një kohë që nuk kanë qenë afër rritjes e ecurisë në vite të nipërve, duke e shprehur jo vetëm me dhurime, por edhe me mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit.
Dhe as që bëhet fjalë për mosmarrjen përsipër edhe të shpenzimeve të tjera, si ushqime, veshje etj., gjatë kohës së qëndrimit në SHBA”, thuhet në vendim.
Dhuratat të pajustifikueshme
Trupi gjykues ka arritur në përfundimin se, dhuratat e deklaruara nga subjekti janë të pajustifikuara. “Subjekti i rivlerësimit ka paraqitur deklaratat e të ardhurave, pas taksave, për vitet 2006-2010, të vjehrrit dhe vjehrrës në SHBA, ku rezulton se ata kanë të ardhura 35.000 USD në vit.
Ata kanë përfituar edhe pensione në Shqipëri, të cilat për vitet 1998- 2018 shkojnë në vlerën totale prej 6.233.078 lekësh, duke përfshirë edhe pensionin suplementar të vjehrrit.
Të ardhurat e vjehrrit dhe vjehrrës nuk rezultojnë të larta. Ka paraqitur edhe dokument mbi të ardhurat e kunatit për vitet 2010, 2013, 2014, nga ku rezulton se ai ka të ardhura të mira në familjen e tij.
Në përfundim trupi gjykues nuk u bind nga shpjegimet dhe provat e dërguara nga subjekti i rivlerësimit mbi të kundërtën e rezultateve të hetimit, duke i konsideruar të pajustifikuara dhuratat e bëra subjektit të rivlerësimit në shumën prej 9.296.340 lekësh nga vjehrri dhe vjehrra”, thuhet në vendim.
Dhuratë 2/3 e një shtëpie
Gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit Korçë, Sotiraq Lubonja, përveç 85 mijë USD, i kanë dhuruar edhe 2/3 e një shtëpie banimi dykatëshe në Korçë. I pyetur nga KPK se pse ia kanë dhuruar këtë pasuri të paluajtshme, gjyqtari ka pohuar se është kujdesur për djalin e dhuruesit, kur ky i fundit ka qenë në burg.
“I pyetur për arsyen e dhurimit dhe marrëdhënien me këta shtetas, subjekti i rivlerësimit sqaron se gjyshja dhe gjyshi i subjektit janë kujdesur për z. K. K dhe djalin e tij, kur këta kanë qenë në burg. Ka marrëdhënie miqësore, por edhe shpirtërore, dhe dhurimi është një amanet i lënë nga prindërit e dhuruesve.
Znj. M. Sh nuk arriti ta bëjë këtë dhurim, pasi ka vdekur në vitin 2018 në SHBA, duke mos dhënë shpjegime se përse ai nuk është realizuar deri para vdekjes. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka një akt përfaqësimi, prokurë e përgjithshme e datës 17.09.1999, e mbajtur në SHBA (depozituar pranë Komisionit), ku njëri prej dhuruesve të shtëpisë, z. N. K, emëron për kryerjen e veprimeve juridike lidhur me pronat e paluajtshme të tyre në Korçë subjektin e rivlerësimit, z. Sotiraq Lubonja”, thuhet në vendim.
Shtesë pa leje
Tek kjo banesë, KPK ka zbuluar se gjyqtari ka bërë një shtesë pa leje. “Në shtëpinë e banimit në Korçë rezulton se subjekti i rivlerësimit ka kryer ndërtim pa leje, duke bërë shtesë anësore dhe shtesë kati + papafingo”, thuhet në vendim. Sipas KPK, gjyqtari nuk ka pasur para për ta bërë këtë shtesë.
“Subjekti i rivlerësimit ka poseduar prej vitit 1995 deri në vitin 2002 pronën pa një akt të ligjshëm, si dhe prej vitit 2002 në vitin 2007, e në vijim, poseduar pjesët, sipas kontratave të dhurimit.
Subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar të saktë sipërfaqen e shtesës ndërtim pa leje, vitin se kur e ka kryer këtë ndërtim pa leje (shtesë anësore dhe shtesë kati) dhe a ka pasur përmirësime të pronës ndër vite, të cilat mund të kenë rritur koston e ndërtesës.
Ai ka deklaruar si burim për krijimin e kësaj prone të ardhurat nga paga. Kostoja e ndërtimit të banesës së subjektit të rivlerësimit llogaritet në vlerën prej 6.379.351 lekësh. Kjo kosto është disa herë më e lartë se kostoja e deklaruar nga vetë subjekti”, thuhet në vendimin e KPK.