Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhacka nga foltorja e Kuvendit foli për dosjen “McGonigal” duke thënë se opozitës i kanë shteruar idetë dhe propozimet. Më tej shtoi se meqë opozita nuk di të sjellë alternativa, merret me teori komplotesh.

Fjala e plotë e Xhaçkës:

Është për të ardhur keq që na duhet të humbasim kaq shumë kohë e kaq shumë energji duke u marrë me një çështje që nuk është çështje. Opozita ka çdo të drejtë të kërkojë mocione e interpelanca e sqarime. Absolutisht. Dhe ne kemi detyrimin që t’i dëgjojmë e të japim përgjigje e shpjegime për çdo gjë që kërkohet. Por kjo që bën opozita sot nuk është serioze, në fakt është një abuzim me të drejtën që i jep ligji. Sa kohë e sa energji është harxhuar në këtë institucion me diskutime të tilla absurde për çështje që do të kishin qenë tema diskutimi normale për ndonjë grup ekscentrik në Facebook apo ndonjë forum të errët online ku diskutohen teoritë e komploteve, në vend që të diskutohet për politika, për çështje konkrete që prekin qytetarët. E them këtë sepse fatkeqësisht i ashtuquajturi rast McGonigal nuk është një rast i izoluar. Ndër vite opozita ka ngritur sa e sa çështje të tjera po si kjo, në vend që të merret me çështje që realisht ju interesojnë qytetarëve dhe që realisht prekin qytetarët. Ka ardhur një pikë që me t’u mbyllur njëra shpikje, fillojmë e vrasim mendjen cila do të jetë shpikja e radhës.

Ajo që më bën çudi është që kjo sjellje vazhdon edhe pse në kushedi sa raste është provuar që bëhet fjalë thjesht për trillime apo më keq akoma, për mashtrime të organizuara të sajuara dhe inskenuara nga anëtarë të opozitës. Besoj e mbani mend rastin Babale apo jo? Besoj e mbani mend mesa pasion e me sa përkushtim u investua po kjo opozitë në atë rast, që tashmë është provuar që ishte krejtësisht i fabrikuar. Dje ishte Babalja, sot është McGonigal. E vërteta është – dhe këtë tashmë e dinë edhe qytetarët – që kësaj opozite i kanë shteruar idetë. S’di më të sjellë alternativa e propozime, por merret vetëm me teori komplotesh të tilla. Të cilat rastësisht, krejt rastësisht, fillon e i trumbeton e i kthen në kauza të luftës politike sa herë fillon e i troket në derë drejtësia. Siç ndodhi në fakt edhe në këtë rast, pasi nëse ktheheni pak prapa në kohë, do të vini re që ka një koincidencë të çuditshme. Stuhia për rastin McGonigal filloi sapo drejtësia filloi të merret seriozisht me çështjen e Gërdecit e sapo dolën në dritë përgjimet e kobshme të gardistëve që vranë 4 njerëz të pafajshëm në 21 janar. Pikërisht në atë moment, na u faneps çështja e McGonigal dhe u bënë lidhje e fantazi të hamendësuara në lidhje me kryeministrin.

Është një histori absurde, është në nga ato histori që nëse dikush do të tentonte ta prezantonte si skenar të një telenovele me gjasa do t’ia refuzonin si shumë të ekzagjeruar. Sepse edhe telenovelat që janë telenovela në fund të ditës duhet të ruajnë një minimum serioziteti e të kenë një minimum besueshmërie në skenarin e tyre. Dëgjova dje, që gjatë një interviste, autori i versionit shqip të McGonigal, ish-Kryeministri non-grata kishte thënë që kanë dalë mesazhe se Olta Xhaçka i ka shkruar një ambasadori se “është vendosur me gjykatësin për këtë çështje.” E kishte fjalën për gjyqin për vulën që i ka humbur PD. Se ç’punë ka ministri i jashtëm të vendosë për vulën e PD këtë e di ai. Unë për vete di diçka tjetër. Di që s’kam folur kurrë me ndonjë diplomat për vulën e PD, ama kam folur me diplomatë të huaj për këtë zakonin e PD për t’u marrë me teori komploti. Është diçka që i habit sepse vërtet në botë ka forca politike që merren me teori komploti e çudira të tjera. Por nuk ka asnjë forcë serioze që të merret me teori komploti kaq haluçinante sa këto që merret PD. Sepse, nëse ndalesh një moment dhe e analizon ftohtë teorinë e PD për rastin McGonigal, ka vetëm një epitet për ta përshkruar: haluçinante.

Ça mund ta quash tjetër një teori sipas të cilës, Edi Rama në bashkëpunim me McGonigal, pak me ndihmën e rusëve dhe kinezëve, pak në bashkëpunim me Kartelin Sinaloa, pak me ndihmën e Yurin Kim, dhe patjetër me George Soros në prapaskenë, janë duke punuar së bashku për të shkatërruar demokracinë në Shqipëri, për të zhdukur PD si bastioni i fundit i rezistencës ndaj mësymjes antidemokratike ruso-kinezo-sorosiane, e veçanërisht ish kryeministrin, që në këtë histori del si një heroi i pakuptuar që megjithëse i është bërë një padrejtësi e jashtëzakonshme duke e shpallur non-grata, po lufton sot me mish e me shpirt për të shpëtuar demokracinë shqiptare, por edhe atë Amerikane nga ky komplot i rrezikshëm. E jo vetëm kaq, por me çdo deklaratë shtypi për këtë rast, bëmat e McGonigal shtohen, përfshirja e tij në çdo gjëmë që ka ndodhur në Shqipëri shtohet, aq sa nuk është për t’u çuditur nëse një ditë do ta akuzojnë edhe si furnitorin e atyre stilolapsave e çadrave pistoletë që u përdorën në “grushtin e shtetit të 21 janarit”. Në një botë ku ka ende njerëz që besojnë teorinë që toka është e sheshtë, ka patjetër edhe njerëz që do t’i besojnë një historie si kjo. Por njerëz seriozë që t’i besojnë një historie si kjo nuk ka. E vërteta është shumë e thjeshtë. Çështja McGonigal nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë shqiptare apo me kryeministrin shqiptar. Për McGonigal ka një hetim në SHBA që nuk ka lidhje me shtetin shqiptar apo me Kryeministrin shqiptar.

Po Kryeministri e ka takuar McGonigal, siç do ta kishte takuar McGonigal po t’i ishte dhënë rasti çdo kryeministër shqiptar i pas diktaturës sepse të takosh shefin e kundërinteligjencës së FBI, si një partner strategjik e aleat i SHBA, është krejt normale. Kushdo që ushqen një fije dyshimi për këtë duhet t’i bëjë vetes një pyetje shumë të thjeshtë: A ia ha mendja njeriu që SHBA do të kishin këtë nivel bashkëpunimi që kanë me Shqipërinë sikur të kishte qenë e vërtetë qoftë edhe një fije e atyre që thotë opozita për rastin McGonigal, pra që kryeministri po bënte atë që nuk e ka bërë as Irani, as Rusia, as Koreja e Veriut duke korruptuar shefin e kundërinteligjencës së FBI?! Marrëdhëniet me SHBA janë sot në pikën më të lartë që kanë qenë ndonjëherë. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë e dini shumë mirë të gjithë, jo sepse e them unë, por sepse flasin faktet e flasin edhe vetë përfaqësuesit e SHBA Jo më larg se të martën foli edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, z. Escobar, i cili e theksoi me zë dhe figurë që kjo çështje nuk i ka cenuar aspak marrëdhëniet dhe nënvizoi edhe nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes vendit tonë dhe SHBA.

Vetëm 4 muaj më parë ne zhvilluam dialogun strategjik me SHBA, ku hodhëm piketat e intensifikimit e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes nesh në çdo fushë, nga mbrojtja e siguria, ku roli i Shqipërisë vlerësohet maksimalisht, tek politikat rajonale, ku Shqipëria shihet si partneri më i ngushtë e i besuar i SHBA në rajon, tek drejtësia e qeverisja, ku do të vazhdojë mbështetja jetike e SHBA, tek energjia ku Shqipëria shihet si një vend me një potencial të jashtëzakonshëm, tek biznesi e bashkëpunimi ekonomik ku po diskutohet për një komitet të përbashkët ekonomik, tek diplomacia ku kemi sot një bashkëpunim jashtëzakonisht të suksesshëm në Këshillin e Sigurimit ku praktikisht bashkëpunimi po ecën aq mirë sa për disa dosje po punojmë si një ekip i vetëm, e deri tek fusha të reja siç është mbrojtja kibernetike. Kjo është e vërteta e marrëdhënieve me SHBA nën drejtimin e Edi Ramës. Ndërkohë që e vërteta e marrëdhënieve të Sali Berishës me SHBA, është që e kanë shpallur non-grata. Përfundimet për teorinë e komplotit McGonigal tani mund t’i nxirrni vetë.

Artikulli paraprakSHKOLLA “BESËLIDHJA” NË LEZHË ME MUZE TË RI
Artikulli tjetër13-të BASHKI FITUESE TË PROGRAMIT NDËRKUFITAR IPA II