Arta Marku,kryeprokurorja e përkohshme që prej gati 3 javësh ka marrë detyrën, shumë shpejt do të riorganizojë strukturën drejtuese në Prokurorinë e Përgjithshme. Marku gjatë këtyre ditëve si kryeprokurore ka zhvilluar disa takime me vartësit e saj në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që njëherësh ka marrë dhe disa vendime duke realizuar ndryshimet në disa prokurori në rrethe dhe institucionin qëndror. Qëllimi i saj me këto lëvizje është që t’i japë një frymëmarrje sistemit të brendshëm të prokurorisë dhe të promovojë prokurorë të apasionuar për të hetuar dhe që janë jashtë ndikimit.
Një hallkë shumë e rëndësishme dhe që pritet të ngrihet shumë shpejt nga Marku,brenda organikës së Prokurorisë së Përgjithshme është drejtoria e Inspektimit të dosjeve të prokurorëve. Kjo drejtori prej gati 1 vit e gjysmë u shkri nën drejtimin e Adriatik Llallës, duke lënë pa kontroll dosjet e më shumë se 340 prokurorëve. Sot, prej afro 1 viti e gjysmë, asnjë prokuror nuk është inspektuar për veprimet hetimore në dosjet që ata kanë pasur gjatë punës.
Task-Forcat
Hapi tjetër dhe më i rëndësishëm, sipas burimeve të prokurorisë, do të jetë ringritja e Task-Forcave, struktura këto që prej 1 viti e gjysmë u “asgjësuan” nga ish-kryeprokurori Llalla.
Këto njësi hetimi të specializuara nga ekspertë amerikanë dhe financuara nga OPDAT, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, Llalla i ktheu në seksione ekonomike pranë 7 prokurorive të rretheve.
Lëvizjet në prokurori
Prej tre javësh që kryeprokurorja Arta Marku ka marrë detyrën, institucioni akuzës në vend është “shkundur” nga themelet. Lëvizjet në këtë institucion kanë sjellë deri në kallëzime penale për Markun por cilat janë 10 lëvizjet më të bujshme,një panoramë duke nisur nga zyra e kryeprokurorit e deri në prokuroritë e rretheve. Lëvizje të cilat kanë hapur mjaft debate.
Më konkretisht kanë lëvizur Fjori Ballauri nga drejtoria e Kabinetit tek Alketa Zifla. Ndërkohë në vend të këshilltarit për median Albi Serjani, u emërua Denion Drenika. Marku ndryshe nga Llalla ka zgjedhur të ketë dhe një këshilltar, i cili është prokurori Besnik Cani. Kryeprokurorja ka vendosur të shkarkojë drejtoreshën e Dekriminalizimit Rovena Gashi dhe në vend të saj të emërojë prokurorin Arqile Koçaj. N dërkohë në prokurorinë e Tiranës ka vendosur të largojë Petrit Fushën dhe në vend të tij të emërojë prokurorin Dritan Rreshka. Gjithashtu në Elbasan ka vendosur të emërojë prokurorin Ardian Nezha duke shkarkuar Dritan Ginën, shkarkim i cili u shoqërua me një situatë të pakëndshme, pasi Gina, është revoltuar duke kërkuar të mos lëshojë zyrën e prokurorisë së Elbasanit.
Ndryshimi më i diskutueshëm është ai i prokurorit të Durrësit Agron Gjana, ku në vend të tij ka emëruar Donika Prela. Gjana ka qënë i emëruar në këtë detyrë dhe lirimi i tij ndryshe nga ndryshimet e tjera, kërkon diskutim me ligjin. Gjana është komanduar nga Marku, si prokuror i thjeshtë në Pukë. Gjithashtu në Fier ka vendosur të largojë Pali Deçollin dhe në vend të tij ka vendosur Fatmir Lushin dhe në Kukës ka larguar Artur Ismailukaj dhe në vend të tij ka emëruar Alketa Nushin.