Maxhoranca qeverisëse ka tërhequr katër projektligje nga paketa me 27 nisma ligjore në kuadër të plotësimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi. Kuvendi ka miratuar 17 projektligje, gjashtë nisma ligjore janë në proces shqyrtimi, ndërsa katër projektligje janë tërhequr.
Të dhënat pasqyrohen në një draft-raport të Ministrisë së Drejtësisë mbi ecurinë e zbatimit të reformave në sektorin e drejtësisë nga data 1 janar 2018 deri në datën 2 nëntor po të këtij viti.
Konkretisht janë tërhequr projektligji “Për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”, nisma me disa ndryshime ne ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve, projektligji për ndryshimin e ligjit për “Avokaturën e Shtetit” si dhe projektligji “Për provimin e shtetit për profesionin e juristit”.
Projektligji për Presidencën
Projektligji i tërhequr për organizimin dhe funksionimin e Presidencës qartësonte kompetencat dhe sjelljet e Presidentit. Në nenin 14 të projektligjit saktësohej që Presidenti duhej të shprehet me dekret brenda 7 ditëve për emërimin ose shkarkimin e ministrave, në bazë të propozimeve të kryeministrit.
Ndërsa në rastet kur vendi i ministrit mbetet vakant, kryeministri i propozon Presidentit emërimin e një ministri tjetër, ku Presidenti brenda 7 ditëve shprehet me dekret për largimin e ministrit dhe emërimin e ministrit të ri.
Neni 98 i Kushtetutës parashikon që “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, brenda 7 ditëve”, duke mos theksuar se Presidenti duhet të shprehet për pranimin ose refuzimin e ministrit. Gjithashtu, projektligji parashikonte edhe afatin brenda të cilit ministri duhet të bëjë betimin.
Konkretisht “pasi dekretet e emërimit janë votuar “pro” nga Kuvendi, ministrat bëjnë betimin para Presidentit, brenda një jave nga dhënia e pëlqimit të Kuvendit”.
Ndryshimi i strategjisë
Në raport, Ministria e Drejtësisë thekon se institucionet kanë raportuar nevojën për rishikimin e planit të veprimit të strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë, për shkak të bllokimit të institucioneve të reja të drejtësisë. “Kjo nevojë për rishikim lidhet kryesisht me faktorë si moskrijimi në kohë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë si Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, SPAK si dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. rishikimin e aktiviteteve dhe/apo treguesve të saj të zbatimit në mënyrë që të sigurohet një përputhshmëri më e mirë me realizimin e qëllimit.
Ndryshimin e përgjegjësisë institucionale për zbatim dhe/apo institucioneve bashkëpunuese, pasi jo në pak raste vihet re që ka problematikë në përcaktimin e institucionit përgjegjës për realizimin e një aktiviteti. Realizimin e gjithërfshirjes së aktorëve të sistemit të drejtësisë në planifikimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit në përputhje me objektivat e Strategjisë por dhe në kuadër të fushës së përgjegjësisë të çdo institucioni”, thuhet në draft-raport.
Bilanci i Vetingut
Në draft-raport pasqyrohet edhe bilanci i deritanishëm i zbatimit të ligjit të Vetingut. “Në datën 15 janar 2018 u zhvillua shorti për shpërndarjen e çështjeve në trupat gjykuese. Pjesë e kësaj liste janë kryetarët e gjykatave, prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, gjyqtarët e Gjykatave të Apelit; në total 36 subjekte rivlerësimi, për të cilët nisi menjëherë procedura e rivlerësimit. Në datën 15 mars 2018 u zhvillua shorti i radhës për shpërndarjen e çështjeve në trupat gjykuese.
Pjesë e kësaj liste janë kryetarët e gjykatave të rretheve dhe drejtuesit e prokurorive të rretheve; në total 36 subjekte rivlerësimi, për të cilët nisi menjëherë procedura e rivlerësimit. Numri i përgjithshëm i vendimeve të dhëna nga Komisioni për periudhën janar – 2 nëntor 2018 është 71 vendime: 30 vendime për konfirmimin në detyrë të 17 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve. 26 vendime për shkarkimin nga detyra të 16 gjyqtarëve dhe 9 prokurorëve dhe një ndihmësi ligjor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë/kandidat për magjistrat.
7 vendime për ndërprerjen e procesit për 4 gjyqtarë dhe 2 prokurorë, 1 këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese. 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmësve ligjorë të Gjykatës së Lartë”, thuhet në raport.
Paketa me 27 ligjet, aktet e miratuara dhe të tërhequra
Projektligjet të cilat janë tërhequr
1. Projektligji për disa në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998, për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve.
2. Projektligji “Për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.
3. Projektligji për disa s ndryshime në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit”.
4. Projektligji “Për provimin e shtetit për profesionin e juristit”.
Projektligjet të cilat janë ende në proces
1. Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”.
2. Projektligji për disa ndryshime në ligjin për ekzekutimin e vendimeve penale.
3. Projektligji për Strategjinë e Edukimit Ligjor të Publikut.
4. Projektligji për disa ndryshime në ligjin për noterinë.
5. Projektligji për disa ndryshime në ligjin për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat
6. Projektligji për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë
Ligjet e miratuara
1. Ligji për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.
2. Ligji për disa ndryshime në Kodin Penal.
3. Kodi i Drejtësisë për të Mitur.
4. Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
5. Ligji për përgjimin e komunikimeve elektronike.
6. Ligji për ndryshime në ligjin anti-mafia.
7. Ligji për disa ndryshime në ligjin për masat kundër financimit të terrorizmit.
8. Ligji për disa ndryshime në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
9. Ligji për disa ndryshime në ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive.
10. Ligji për disa ndryshime në ligjin Kodi i Procedurave Civile.
11. Ligji për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë.
12. Ligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative.
13. Ligji nr. 41/2017 për një ndryshim në ligjin për nëpunësin civil.
14. Ligji për ndihmën juridike të garantuar nga shteti.
15. Ligji për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.
16. Ligji për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
17. Ligji për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë.