Ende pa u mbyllur mirë faza e parë, Vllaznia ka konfirmuar edhe dështimin e rradhës në merkaton e verës. Kështu, bëhet fjalë për mbrojtësin Redon Dragoshi, me të cilin Vllaznia firmosi në fundin e qershorit një kontratë tre-vjeçare, por që sipas burimeve të “Star Plus” tashmë atij i është kërkuar largimi nga skuadra pasi nuk ka bindur askend. Trajneri i Vllaznisë Migen Memelli tha se nuk është në dijeni të largimit të Dragoshit duke e pritur që të jetë prezent në stërvitje.
Dragoshi ndryshe nga sa pritej nuk ishte as në stërvitje duke konfirmuar kështu largimin e tij nga Vllaznia. Duke qenë se klubi dhe lojtari nuk kanë gjetur një marrëveshje për ndërprerjen e kontratës Dragoshi është dërguar tek ekipi U-21 ku është stërvitur dhe luajti ndeshjen me 21 vjeçarët ndaj Kukësit, edhe aty si zëvendësues.
Ndërkohë, nga ana tjetër Memelli foli edhe për merkaton në tërësi, teksa tha se këtë vit nuk është gabuar me afrimet e bëra edhe pse një pjesë e lojtarëve të merkatos si Hajdari e Dragoshi dështuan ndërsa futbollistë si Dodev e Cheshmedijev në shumicën e rasteve ngrohin stolin.
Ndërkohë, prej disa ditësh, një mesfushor me tipare sulmuese është bashkuar për t’u stërvitur me ekipin e Vllaznisë. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin shqiptaro-belg Matias Lloçi, i cili luan në rolin e mesfushorit, si numër 10-sh dhe nga krahët. Stafi teknik do të vlerësojnë edhe përformancën e mesfushorit, nëse do të bëhet ose jo pjesë e Vllaznisë në janar, atëherë kur do të hapet merkatoja e dimrit.