Burrë e grua invalidë, dhe njëri nga dy fëmijët me probleme, kjo është familja Arjan Metallës, nga fshati Gosë e Vogël në Rrogozhinë.
Kryefamiljari Arjan Metalla tregon për Gazetën Shqip se ai, bashkëshortja Valbona dhe dy fëmijët mbijetojnë vetëm me të ardhurat që merr ai si invalid.
Kushtet e vështira ekonomike bëhen më të rëndë për këtë familje, pasi bashkëshortes së tij, Valbonës, i hiqet e drejta për KEMP, edhe pse ka humbur njërën dorë në një aksident disa vite më parë.
Pavarësisht se e merrte këtë pagë prej vitit 2003, Valbonës i është hequr e drejta për KEMP për shkak se sipas ligjit që ta përfitojë atë vetëm nëse nuk ka krahun e nga pjesa e bërrylit, shpjegon Arjani.
Drama bëhet edhe më e rëndë, pasi djali i vogël i çiftit ka lindur me probleme dhe nuk flet dot rrjedhshëm, edhe pse i është nënshtruar 2 operacioneve.
Brenda një shtëpie të mbuluar vetëm nga llamarinat, uji hyn brenda duke e bërë tepër të vështirë jetesën në 4 muret e mykur nga lagështia.