“Lulja më e bukur” është drama kushtuar dom Dedë Maçaj. Kjo dramë u vu në skenë në kishën e motrave Stigmatine në Shkodër nga të rinjtë e famullisë “Shën Rroku” të Rranxa Bushatit.
Drama solli përmes lojës së të rinjve jetën e dom Dedë Maçaj, një prej 38 martirëve të lumturuar nga Vatikani dy vite më parë.
Drama nis që nga momentet e para kur një i ri si dom Dedë Maçaj i përkushtohet fesë për të vijuar më pas me një sërë ngjarjesh që rrodhën në jetën e tij. Dom Dedë Maçaj ishte një prift shqiptar i cili pasi u mor në shërbimin ushtarak u arrestua si spiun i Vatikanit me 10 mars 1947.
Pas torturave ndaj tij dom Dedë Maçaj u pushkatua me 28 mars 1947 në Përmet, përpara ushtarëve të regjimentit dhe i shkelur prej fanatikëve komunistë. Një tjetër ushtar i tij Nikollë Koleci nga Kurbini dëshmoi për këtë ngjarje si dëshmitar okular.
Dom Dedë Maçaj lindi në Malin e Jushit me 5 shkurt 1920 ndërsa që i ri shkoi në Seminarin Papnor të Shkodrës duke marrë mësimet e para. Teologjinë e kreu në Romë. Në shërbimin ushtarak edhe pse një person tejet i rregullt dhe i sjellshëm për shkak të lidhjes së tij me fenë u përçmua dhe keqtrajtua.
Dom Dedë Maçaj është shuguruar si prift me 19 mars 1944 dhe në atë kohë u emëruar zëvendës famullitar i Shkodrës. Ishte vetëm 27 vjeç kur u pushkatua pas një gjyqi fars vetëm për rezistencën e tij ndaj fesë. Në 2016-ën u shpall i lumë bashkë me 37 martirët e tjerë.