Italia vijon të mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe marrëdhëniet tregtare mes tyre sa vijnë e fuqizohen.
Edhe vitin e kaluar eksportet e mallrave drejt këtij shteti u zgjeruan ndjeshëm në 155.7 miliardë lekë apo rreth 1.2 miliardë euro në vitin 2021, duke u zgjeruar me gati 270 milionë euro. Grupi më i madh eksportues drejt Italisë mbeten tekstilët e këpucët, ndjekur nga eksportet e materialeve të ndërtimit dhe makinerive.
Në vend të dytë renditet Kosova me 37.6 miliardë lekë mallra “Made in Albania” të eksportuara në 2021, ndjekur Spanja e cila po zë një peshë të rëndësishme në tregtinë mes vendeve. Vitin e kaluar, drejt saj u eksportuan 23.5 miliardë lekë mallra kryesisht minerale e lëndë djegëse.
Marrëdhëniet tregtare po forcohen më tej edhe me Greqinë që merr prej Shqipërisë mineralet, tekstile e këpucës si dhe materiale e ndërtimi. Eksportet drejt saj arritën në gati 175 milionë euro mallra.
Por, pse nuk po arrin Shqipëria të zgjerojë hartën e partnerëve tregtarë?
“Ka një mungesë të theksuar për vendet europiane pasi ndoshta kapacitetet tona të prodhimit dhe teknologjia jonë nuk i përgjigjet dot këtij konsumatori nordik apo vendeve të tjera më të zhvilluara europiane. Kërkojnë një cilësi shumë të kualifikuar dhe në këtë pjesë vazhdojmë të kemi probleme”, shpjegon Sinkron Vjoldi Danaj, ekspert për ekonominë.
Sipas ekspertit Vjoldi Danaj për t’u bërë konkurrues nevojitet diversifikim i eksporteve:
“Nëse do të duhet të rrisim eksportet drejt vendeve të tjera të zhvilluara duhet të favorizojmë ardhjen e investitorëve të huaj nga këto vende me qëllim që ato të prodhojnë këtu dhe të eksportojnë në shtetet e tyre. Duhet të bëjmë atë kapërcimin nga një fason te industria e lehtë”.