Pas datës 1 qershor 2018, dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët përmbushin disa kritere të përcaktuara, do të kenë akses falas në drejtësinë e re. Akses falas do të thotë se, nuk do të paguajnë tarifat dhe shpenzimet gjyqësore për çështje civile, administrative apo penale. Ndihma juridike përfshin gjithashtu avokat të paguar nga shteti për çështjet civile dhe administrative.
Përfshin këshillim ligjor falas dhe mbrojtje për çështjet penale. Të gjitha kushtet, kriteret, format, procedurat dhe kategoritë që përfitojnë nga shteti mbulimin e shpenzimeve gjyqësore parashikohen në ligjin e ri për ndihmën juridike.
Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare më datën 9 janar 2018, por do të hyjë në fuqi në 1 qershor 2018. Konkretisht, shteti do të mbulojë shpenzimet gjyqësore të viktimave të dhunës në familje, të viktimave të trafikimit, të jetimëve, të personave me aftësi të kufizuar, të personave me probleme mendore, të personave që trajtohen me ndihmë ekonomike etj. Po ashtu, të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e ka çdokush që provon se ka të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për këshillim, përfaqësim dhe/ose mbrojtje në çështjet penale, në çështjet administrative dhe në çështjet civile.
Shpenzimet që mbulon shteti
Shteti do të mbulojë shpenzimet gjyqësore në formë të plotë dhe të pjesshme, sipas gjendjes ekonomike dhe statusit social të qytetarit.
Mbulimi i shpenzimeve të plota përfshin përfaqësim me avokat falas, dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor. Gjithashtu, përfshihet këshillimi falas si dhe dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve. Përfshihet dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore si dhe dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore.
Ndërsa mbulimi i pjesshëm i shpenzime ose “Ndihma juridike dytësore”, parashikon përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën; ofrimi i këshillimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes para gjykatës në çështjet administrative, civile dhe në çështjet penale, për të cilat nuk zbatohet mbrojtja e detyrueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural penal.
Procedura
Kërkesa për të të mbuluar shteti shpenzimet gjyqësore bëhet me gojë ose me shkrim nga personi i interesuar pranë një qendre shërbimi për ndihmë juridike parësore ose një organizate jofitimprurëse të autorizuar. Personi duhet të nënshkruajë një vetëdeklarim se përmbush kriteret e përcaktuara në këtë ligj, sipas formularit të vetëdeklarimit të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, të shoqëruar me dokumentacionin justifikues.
Ndihma ofrohet menjëherë me marrjen e kërkesës. Në rast se dhënia e menjëhershme e ndihmës është e pamundur, personi informohet menjëherë për datën dhe kohën e dhënies së shërbimit të kërkuar.
Aksesi falas
Akses falas do të thotë se nuk do të paguajnë tarifat dhe shpenzimet gjyqësore për çështje civile, administrative apo penale. Ndihma juridike përfshin gjithashtu avokat dhe këshillim ligjor falas.
Mbulimi i shpenzimet
Shteti do të mbulojë shpenzimet gjyqësore të viktimave të dhunës në familje, të viktimave të trafikimit, të jetimëve, të personave me aftësi të kufizuar, të personave me probleme mendore, të personave që trajtohen me ndihmë ekonomike etj.
12 kategoritë që përfitojnë
Viktimave të dhunës në familje; Viktimave të abuzuar seksualisht dhe viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal;
Viktimave të mitur dhe të miturve në konflikt me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal;
Fëmijëve, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
Fëmijëve nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor;
Personave që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, duke përfshirë edhe personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit;
Personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit të pavullnetshëm në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për shëndetin mendor;
Personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit vullnetar në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor për sëmundjet e rënda mendore;
Personave, ndaj të cilëve kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, në çdo fazë të këtij procesi;
Personave, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, që kërkojnë të nisin një proces kundër kujdestarit të tyre ligjor, për rifitimin e zotësisë për të vepruar, pa miratimin e kujdestarit ligjor;
Personave, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale;
Personave, të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.
Përfituesit e tjerë
1. Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e ka çdokush që provon se ka të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për këshillim, përfaqësim dhe/ose mbrojtje në çështjet penale, në çështjet administrative dhe në çështjet civile.
2. Të ardhurat e një personi, i cili jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse të ardhurat në total të të gjithë pjesëtarëve të familjes, të pjesëtuara për numrin e anëtarëve të familjes, janë më të ulëta se 50 për qind e pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
3. Të ardhurat e një personi, i cili nuk jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
4. Nëse një person, i cili jeton në një familje, kërkon ndihmë juridike dytësore për një çështje kundër një anëtari tjetër të së njëjtës familje, nuk do të zbatohet. Në këtë rast, të ardhurat e këtij personi konsiderohen të pamjaftueshme, sipas pikës 1, të këtij neni, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
5. Pasuria e një personi konsiderohet e pamjaftueshme, nëse vlera e saj në total nuk tejkalon vlerën e 36 pagave minimale mujore sipas legjislacionit në fuqi.