Në muajt në vijim procesi i Vettingut pas fazës së parë do të vijojë duke future në sitë 12 gjyqtarë e prokurorë të tjerë, emra të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare në gjithë këto vite.

Edhe pse kanë kaluar me sukses fazën e parë tashmë do të kenë edhe një verifikim tjetër për t’u konfirmuar më pas në detyrë si pjesë e drejtësisë së re nga reforma që po bëhet.

Këta 12 emra të rëndësishëm do të jenë objekt i një verifikimi nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë për shkelje të mundshme displinore, sa i takon ligjshmërisë së vendimeve të tyre në raport me dosjet që kanë pasur në duar.

Për Komisionin e Vetingut, këto shkelje të dyshuara nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndëshkuar subjektet, por i ka referuar çështjet për verifikimin tek organi kompetentet. Pjesë e kësaj liste janë edhe dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani dhe Kostaq Beluri si dhe anëtarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Brunilda Kadi.

Për Besnik Canin, përveç referimit të katër çështje për verifikim në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, ka një rekomandim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për ta shkarkuar nga detyra, ndërsa vendimi për fatin e tij do të merret nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Magjistratët e tjerë që do të verifikohen për shkelje të mundshme në detyrë janë Besim Hajdarmataj, prokuror pranë Krimeve të Rënda Tiranë, Zeqir Hoda, prokuror në Tiranë, Kastriot Selita, kryetar i Administratives së Apelit Tiranë, Vladimir Mara, prokuror i Krimeve të Rënda Tiranë, Dritan Peka, drejtues në Prokurorinë e Apelit Tiranë, Alma Muça, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, Eloida Goxhi, drejtuese e Prokurorisë Berat, Esmeralda Keshi (Cami), drejtuese e Prokurorisë Dibër dhe Emona Muçi, kryetare e Gjykatës Pogradec.

Të gjitha dosjet në fjalë do të shqyrtohen nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, që është organi përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë pritet të ngrihet dhe të funksionojë gjatë vitit 2020, pasi aktualisht kandidatët për drejtimin e këtij institucioni janë në fazën e verifikimit.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë shihet si faktor kyç për të ndalur edhe kërdinë në gjyqësor me vendime arbitrare të grupit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët nuk kanë shpresa për të kaluar Vetingut, por që po shfrytëzojnë ditët që u kanë mbetur duke marrë vendime dukshëm korruptive.

Artikulli paraprakSTAR KIDS – 26.10.2019
Artikulli tjetërGRUDË, BANORËT: NUK KEMI UJË, E KËRKOJMË TEK TË AFËRMIT