Klubi Vllaznia ka reaguar në lidhje me drejtorin sportiv të Vllaznisë Engin Firat duke thënë se është e pavërtetë se turku nuk ka një liçencë për të qenë drejtor sportiv.
Në reagimin e saj klubi Vllaznia thotë se ka patur sulme të ndryshme dhe më pas sqaron se kuqeblutë kanë komunikuar me FSHF-në në lidhje me drejtorin Firat dhe se ai ka të drejtë të kryej funksionin e drejtorit sportiv.
“Liçensat dhe kualifikimet që Firat disponon dhe që KF Vllaznia i ka bërë publike në momentin e emërimit të tij, ia bëjnë të mundur kryerjen e të gjitha detyrave që përfshin ky post, duke futur këtu menaxhimin sportiv të klubit,
hartimin e politikave sportive, drejtimin e Akademisë, madje edhe futjen në dhomat e zhveshjes në ndeshjet zyrtare dhe “pengesa” e vetme është pamundësia për të qëndruar në pankinë gjatë zhvillimit të ndeshjeve zyrtare.
Një gjë e tillë sigurisht që nuk është e nevojshme sepse njeriu që qëndron në pankinë është trajneri”.
Kjo është deklarata e klubit Vllaznia dhe pretendimi i tyre me këtë çështje. Në fakt mbyllja e këtij reagimi të Vllaznisë ose pretendimi që ata kanë është më shumë se qesharak.
Pretendohet se turku paska liçensa dhe kualifikime kaq të mëdha sa është e panevojshme t’i marrë ata në Shqipëri.
Nëse kjo është e vërtetë atëherë cila është arsyeja që Engin Firat nuk ka të drejtë të qëndrojë në pankinën e Vllaznisë dhe u lejoka pak metra më tutje që janë dhomat e zhveshjesh.
Klubi Vllaznia e di fare mirë se ka dy liçenca që janë unike në gjithë Europën, e para është UEFA PRO që përdoret dhe duhet ta kenë trajnerët dhe e dyta është liçenca për drejtor sportiv.
Nëse me atë të trajnerit UEFA PRO çdo kush drejton çdo klub në Europë, ndryshe është liçenca e drejtorit. Nëse Firat e ka një të tillë në një vend të Europës, atëherë përse atij i ndalohet të qëndrojë në pankinë.
Në fakt arsyeja është tjetër, Engin Firat nuk e ka një liçencë të tillë dhe e vetmja mënyrë për të është vetëm nëse Federata Shqiptare e Futbollit do ta tolerojë.
Ftojmë klubin Vllaznia që të publikojë qoftë liçencën për drejtor sportiv por edhe kontratën e firmosur me turkun Firat.
Në deklaratën e Vllaznisë është e çuditshme se si nuk përmendet fare çështja e mosfirmosjes së tij me kuqeblutë.
KF Vllaznia sh.a konstaton se që prej momentit të emërimit të z. Engin Firat në postin e drejtorit sportiv të klubit tonë, në adresë të tij ka patur sulme nga më të ndryshmet. Më së fundmi, në media pretendohet se nuk ka liçensën e duhur për të kryer këtë funksion.
KF Vllaznia sh.a bën të ditur se që përpara zyrtarizimit të tij në këtë post, ka komunikuar me FSHF-në prej së cilës ka marrë konfirmimin se me liçensat që z. Firat disponon, ka të drejtë të kryejë funksionin e drejtorit sportiv.
Liçensat dhe kualifikimet që ai disponon dhe që KF Vllaznia i ka bërë publike në momentin e emërimit të tij, ia bëjnë të mundur kryerjen e të gjitha detyrave që përfshin ky post,
duke futur këtu menaxhimin sportiv të klubit, hartimin e politikave sportive, drejtimin e Akademisë, madje edhe futjen në dhomat e zhveshjes në ndeshjet zyrtare dhe “pengesa” e vetme është pamundësia për të qëndruar në pankinë gjatë zhvillimit të ndeshjeve zyrtare.
Një gjë e tillë sigurisht që nuk është e nevojshme sepse njeriu që qëndron në pankinë është trajneri. Në këto rrethana, KF Vllaznia kërkon nga ana e mediave dhe gjithë opinionit sportiv mirëkuptim për të na lejuar të vazhdojmë punën që kemi nisur.