Drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, i arrestuar tashmë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për rastin e vrasjes brenda ambienteve të IEVP-së, ka treguar bisedën e tij me Sokol Mjaçajn.
Në dosjen e zbardhur, drejtori i burgut ka rrëfyer se në momentet e para pas kryerjes së vrasjes, autori ka kërkuar prokurorin, duke thënë se do t’ia dorëzonte atij armën dhe do t’i tregonte të vërtetën.
“Afrohem tek dera dhe i burgosuri më tha që dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në këto momente, i thashë një policit që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjelli telefonin brenda. Në orën 14:01 telefonova Drejtorin e Përgjithshëm, i cilit i raportova që kemi një ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvujtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës. E vetmja kërkesë që kishte, ishte që kërkonte prokurorin. Thoshte që nëse vjen prokurori do të dorëzoj armën dhe do t’i tregoj të gjitha. Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i thamë neve. Hapi derën dhe e shoqëruam me shërbimet e policisë.”-thuhet në dëshmi.
Teksa ende mbetet enigmë se nga është futur arma e zjarrit brenda ambienteve të burgut, Kamer Hoxha ka sqaruar procedurën e takimeve dhe futjen e ushqimit brenda.
“Bëhet regjistri i të dhënave të personit, i cili sjell ushqimet tek postoblloku në hyrje të rrethimit të jashtëm të IEVP-së. Shoqërohet personi për në vendin e kontrollit që është para hyrjes në regjimin e brendshëm. Atje bëhet kontrolli i të gjitha sendeve dhe i kalohen të burgosurit nga punonjës policie me detyrë kontrollor dhe i jepen të burgosurit. Po skanohen, por skaneri ka qenë me defekt që nga data 21.10.2023. Skaneri është rregulluar përpara 3-4 ditësh. Monitorimi kryhet me kamera sigurie dhe me punonjës policie të cilët bëjnë vëzhgimin nga sipër. Ambientet monitorohen me punonjës policie dhe me kamera. Kontrollet bëhen periodike, sipas informacioneve që kemi.”
Ai ka pasur gjithsej 5 takime gjatë vitit 2023.