Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako gjatë vizitës së tij në U.S.A pati disa takime të rëndësishme me drejtues të lartë të disa agjensive ligjzbatuese.
Fillimisht në NYPD, Departamentin e Policisë së New York (New York Police Department ), Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako u prit në takim nga Drejtori i Policisë për New York City James P O’Neill NYPD Chief of Department. Zoti O’Neill e përgëzoi zotin Çako për rezultatet e Policisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit. O’Neill e vleresoi si një partner të besueshëm e serioz Policinë Shqiptare. Ndërkohë zoti Çako vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen e SH.B.A. si partner i rëndësishëm për Policinë Shqiptare. O’Neill dhe Çako vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar të punonjësve të policisë të NYPD, perfaqësuar nga Shoqata Illyrian, si ura të bashkëpunimit mes dy policive. Zoti Çako e ftoi zotin O’Neill për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi prej Tij. Me pas Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako u prit në takim nga Drejtori i Inteligjencës i News York City Thomas P Galati(njeherazi edhe Drejtor per Krimin e Organizuar e Terrorizmin). Galati dhe Çako biseduan për çështjet e terrorizmit që shqetësojnë dy agjencitë, rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimi të informacioneve në këtë fushë. Galati- Çako vlerësuan lartë marrëveshjen e bashkëpunimit për shkembimin e informacionit në luftë kundër terrorizmit të firmosur nga Ministri Saimir Tahiri dhe Drejtori i FBI, si dhe portokollin operacional të firmosur nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe Drejtuesit e Antiterrorit. Zoti Galati e falënderoi zotin Çako, për punën e mrekullueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, në një rast të përbashkët hetimi për terrorizëm. Në këtë hetim u përfshinë FBI, Policia Shqiptare dhe Drejtoria e Inteligjencës së NYPD. Zoti Çako theksoi se ne jemi të interesuar të përvetësojmë dhe të aplikojmë format dhe metodat me të mira të Policisë amerikane për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Drejtori i Inteligjencës Thmas P. Galati i ofroi Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako mbështetje për Strukturat Antiterror dhe të Krimit të Organizuar të Policisë Shqiptare. Gjithashtu me drejtues të Departamentit të Policisë së New York u diskutua për mundësitë e trajnimeve në9 specializimeve të oficerëve të Policisë shqiptare në Akademinë e Policisë në9 New York. Më pas delegacioni shqiptar vizitoi sallën e komandimit dhe monitorimit të emergjencave të Policisë në New York City. Në fund të takimit Z.Çako e ftoi edhe Z. Galati për një vizitë në Policinë e Shtetit në Shqipëri, ftesë qe u prit me shumë kënaqësi nga zoti Galati, i cili premtoi se do ta realizojë së shpejti. Gjithashtu gjatë punimeve të Samitit të Shefave të Policisë të Kombeve të Bashkuara që u mbajt në New York, Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako u takua me përfaqësues të Policive të shteteve të ndryshme. Një takim me fokus luftën kundër Krimit të Organizuar e veçanërisht trafikut të qënieve njerëzore u zhvillua me Drejtorin e Policisë së Hollandës Harry van den Brink. Të dy drejtuesit diskutuan për krizen e emigrantëve dhe masat respektive të marra U shtrua si domosdoshmëri rritja e bashkëpunimit dhe hetimeve të përbashkëta veçanërisht në fushën e trafikut të qenieve njerëzore. Drejtori i Policisë së Holandës Harry van den Brink ofroi mbështetjen e Policisë hollandeze për Policinë shqiptare në këtë fushë.