Drejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm Denion Meidani, shoqëruar nga Keshilltari Rajonal i Antiterrorit për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Evropën Juglindore pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë Joseph R. Baldwin, Këshilltarin Ligjor të OPDAT në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, Bledar Bashanoviq zhvilluan një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorrit të Policisë së Shtetit Alban Dauti dhe Drejtorin e Kabinetit të DPPSH. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i z. Baldwin si Këshilltari i ri për Antiterrorizmin për Evropën Juglindore pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë si dhe angazhimi i OPDAT në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, riatdhesimi dhe mbështetja për proceset e riatdhesimit dhe rehabilitimit të shtetasve Shqiptarë të kthyer nga zonat e konfliktit Siri dhe Irak.

Drejtor Rrumbullaku pasi falenderoi Baldwin për mbështetjen e deritanishme dhe të vazhdueshme të OPDAT, ICITAP dhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë për Policinë e Shtetit, shprehu me bindje se kjo e fundit e konsideron luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit si një prioritet, për të cilin strukturat e specializuara do të përkushtohen për përmbushjen me sukses të detyrimeve dhe përgjegjësive që rrjedhin nga Strategjia Kombëtare dhe Planet e Veprimit në ketë fushë. Gjithashtu, Rrumbullaku konfirmoi se bashkëpunimi me Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm do të rritet pasi që dy institucionet përfaqësojnë 1 entitet me forca të bashkuara në këtë luftë të përbashkët. Nga ana tjetër, z. Meidani, Drejtor i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstemizmit të Dhunshëm shprehu vlerësimin për angazhimin dhe koordinimin të përpiktë të Policisë së Shtetit, veçanërisht përmes Drejtorisë së Antiterrorit në gjithë fazat e rikthimit, rehabilitimit, monitorimit, ri-integrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer nga zonat e konfliktit. Bashkëpunimi me QKEDH-së ka qenë i pandërprerë nga faza e parë 24-orëshe në protokollin pas riatdhesimit deri në prag të fazave të ri-socializimit.

Lidhur me bashkëpunimin dhe strategjinë ndër-sektoriale të zgjedhur dhe të zbatuar nga Shqipëria, Këshilltari i ri Ligjor për Antiterrorizmin pranë OPDAT ka theksuar se mbështetja e SHBA-ve, përtej fazave operacionale synon të përforcojë edhe kapacitetet institucionale, mekanizmat referues dhe shkëmbimin e informacionit, pa lënë mënjanë mbështetjen për forcimin e shoqërisë civile në ndërhyrje me ndikim të gjerë në komunitet. Gjithashtu, z. Baldwin siguroi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë se OPDAT nëpërmjet Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë do të vazhdojnë të jenë në mbështetje te Policisë së Shtetit dhe Qendrës Kundër Ektremizkit të Dhunshëm në luftën e përbashkët kundër Terrorizmit dhe Ektremizmit.

Artikulli paraprakCILI ZAKON UL VETËVLERËSIMIN TUAJ?
Artikulli tjetërMBRËMJA GALA “MË TË MIRËT 2022”, JA TË NOMINUARIT PËR ÇMIMET E FSHF-SË