Dreri arktik, ai që shoqëron Babagjyshin, ka fuqi magjike. Dhe njerëzimi po përpiqet të imitojë aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Për të parën herë një projekt kërkimi shkencor ka hartëzuar gjenezën e tyre dhe rezultatet janë surprizuese.
Këto kafshë polare, që janë rreth 5 milionë, jetojnë në kushte ekstreme në zonat më të ftohta të hemisferës veriore dhe kanë aftësi përshtatjeje shumë të mira. Për të mbijetuar kanë zhvilluar aftësinë që i ndryshon ngjyrën e syve sipas stinës, kanë aftësi të dallojnë dritën ultraviolet, që është thelbësore për t’u orientuar gjatë stuhive të borës.
Por mbi të gjitha kanë dy aftësi mjaft të veçanta. Së pari, është zbuluar se mund të rregullojnë ciklin e tyre biologjik në varësi të orës së dritës. Të gjithë gjitarët kanë periudha me më shumë ose më pak aktivitet metabolik të lidhura me orët e dritës dhe të errësirës, por dreri arktik, jeton në vende ku dita mund të zgjasë edhe 24 orë apo e kundërta.
Së dyti, kanë një kapacitet për të rigjeneruar brirët e tyre, të cilat gjatë procesit rriten me 2.5 centimetra në ditë. Dhe gjenet që kontrollojnë këtë mekanizëm, janë të lidhur me zhvillimin e qelizave tumorale. Por këto kafshë, kanë zhvilluar mekanizma mbrojtës shumë efikase kundër kancerit, që nuk përbën problem për ta. Shpresa e shkencëtarëve është pikërisht kjo, të arrijnë të identifikojnë këto mekanizma, për t’i përdorur në parandalimin e tumoreve tek njeriu.