Dritat e “Ford Focus” çojnë në pranga shqiptarin me 30 mijë euro heroinë
Një shqiptar mbase nuk do të ishte arrestuar nëse nuk do të ngrinte dyshime tek policia italiane. Patrulla e policisë ishte në detyrë për një kontroll rutinë të territorit në Leçe, kur pikasi një makinë “Ford Focus”, e cila qarkullonte pa drita të ndezura në pjesën e pasme. Mediat italiane shkruajnë se policia ka arrestuar 41 vjeçarin shqiptar Elios Faksu. Ajo që u duk në fillim kundravajtje administrative, pak më vonë rezultoi një krim i vërtetë. Menjëherë pas ndalimit, Faksu është shfaqur tepër i shqetësuar dhe nervoz, ndërsa kishte pasur edhe procedime të mëparshme. Pas kontrollit të plotë të bagazhit të makinës, është gjetur një zgavër e formuar në trupin e saj, ku janë gjetur pesë pako heroinë të mbështjellë me celofon, pesha totale e të cilës është 2.6 kg. Vlera totale e drogës është 30 mijë euro. Makina dhe droga u sekuestrua, ndërsa shqiptari u dërgua në burg.