Kurbin
Sekuestrohen drogë, lëndë plasëse, municione luftarake si edhe një sërë materialesh e vegla pune të ndryshme, si prova që dokumentojnë autorësinë e një sërë vjedhjesh të ndodhura.
Në pranga poseduesi i tyre!
Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me forcat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle të befasishme në lokale, akse rrugore dhe ambiente të ndryshme.
Kontrollet, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim, si dhe zbardhjen e dokumentimin e ngjarjeve të mëparshme.
Gjatë kontrolleve, janë shoqëruar në ambientet e policisë për verifikim 10 persona, kryesisht me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje , vjedhje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në banesën dhe magazinën e lokalit në pronësi të shtetasit Zef Marku, 34 vjeç, banues në Fushë -Mamurras në Kurbin, i cili u arrestua në flagrancë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale:
– 2 kallepë lëndë plasëse TNT
– 3 kapsolla elektrodetonatore
– 1 granatë difensive
– 310 fishekë model 56
– 130 gr. lëndë narkotike e dyshuar Marijuanë
– 1 mjet me targa që i përkasin një mjeti tjetër
– 20 celularë dhe 3 numra telefoni
– 20 vegla pune të ndryshme (motosharra, pompa uji, saldatriçe, gur fresibël etj.)
– 13 pajisje elektronike (laptop, magnetofon, 6 aparate fotografike digitale etj)
– 6 pajisje elektroshtëpiake ( televizor, hekura, pajisje vakumi etj.)
– 3 kuti me aksesorë të ndryshëm (kaçavida, çelsa)
– pajisje makinash (3 çelësa automjetesh , aparate navigatore, aparate për karikim baterish) etj.
Këto materiale dyshohen të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale e vjedhjes së banesave, magazinave, serviseve etj, të ndodhura në territorin që mbulon Komisariati i Policisë Kurbin, për të cilat po punohet për dokumentimin ligjor të tyre.
Kontrollet do të vijojnë në gjithë Qarkun e Lezhës, me qëllim goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë.
Policia e Lezhës, falendëron qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen, si dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit, duke u garantuar ruajtjen e anonimatit si dhe një reagim në kohë të Policisë.